Qytetarët e Durrësit që kanë mbetur në listën e përfituesve të bonusit të qirasë pas nxjerrjes prej saj të familjeve që iu derdh në llogarinë bankare granti i rindërtimit ankohen për mos kalimin e këstit të muajit gusht dhe shtator.
Të shumtë janë ata që na kontaktojnë në rrjete sociale dhe shprehin shqetësimin që po kalojnë dy muaj dhe nuk kanë marrë ende këstin e 8 dhe të 9-të.
Sot, kur data shënon 18 shtator, qytetarët ankohen se po i nxjerrin jashtë pronarët e shtëpive, pasi ua kërkojnë paratë që më datë 1 të çdo muaji.
Burime të bashkisë, të kontaktuara nga DurrësLajm, pranojnë se ka pasur vonesa në kalimin e këstit të muajit gusht dhe shtator, për shkak të ndryshimeve në stafin e ministrisë së Financave. Të njëjtat burime theksojnë se banorëve do t’u kalojnë në llogari dy muaj rresht në mënyrë që të mos humbin asnjë këst, përsa kohë banesat e tyre nuk janë rindërtuar apo riforcuar.
Sapo qytetarët përfitues të grantit të rindërtimit për banesat me dëmtime DS1, DS2 dhe DS3 nisën të firmosnin kontratën me bashkinë, ata u nxorrën jashtë listës së përfituesve të bonusit, edhe pse shumë prej tyre akoma nuk u kishin kaluar paratë në llogaritë bankare.
Edhe tani, kur lista e përfituesve të bonusit të qirasë është reduktuar ndjeshëm, vonesat për rimbursimin e parave vijojnë. Sipas bashkisë, paratë pritet të kalojnë në llogaritë bankare të qytetarëve brenda muajit shtator.





