Disa nga drejtuesit e bashkisë së Durrësit në vite ngrenë zërin për papërgjegjshmërinë e pushtetit vendor për paraqitjen e projekt-buxhetit. Tomor Golemi, Miri Hoti dhe Lefter Koka fajësojnë kryebashkiakun Dako për vonesat e pajustifikuara dhe për faktin se po penalizon qytetarët dhe investimet. Mosmiratimi i buxhetit kërcënon mbarëvajtjen e sezonit veror
Si kurrë më parë në historinë e qytetit të Durrësit, bashkia nuk ka paraqitur ende tashmë kur jemi në fund të muajit prill, draftin e buxhetit nga i cili varet zhvillimi i qytetit bregdetar. Një situatë e ngjashme u krijua edhe një vit më parë, kur projekt-buxheti nuk u miratua deri në vjeshtë si pasojë e fushatës elektorale, zgjedhjeve lokale dhe konstituimit të këshillit bashkiak.
Por ndryshe nga viti i shkuar ku zgjedhjet vendore u bënë shkak për shtyrjen e miratimit të buxhetit, këtë vit drafti nuk është paraqitur as në këshillin bashkiak për diskutim, pavarësisht se paketa fiskale është miratuar që në muajin janar.
Ish-kryetarët e bashkive në vite, Tomor Golemi, Miri Hoti, por edhe Lefter Koka, deklarojnë për gazetën “Dyrrah” se nuk ka ndodhur asnjëherë që bashkia të mos paraqesë draftin për diskutim pas kaq muajsh vonese. Ndërsa e vlerësojnë si mjaft kritike gjendjen ata ngarkojnë me përgjegjësi pushtetin lokal për këtë vonesë të pajustifikueshme që po dëmton në radhë të parë qytetarët dhe investimet publike.
Paraardhësi i Dakos, Lefter Koka, që është dhe më i drejtpërdrejtë në fjalën e tij shprehet se kryebashkiaku po penalizon qytetarët me papërgjegjshmërinë e treguar në ushtrimin e detyrës. Kjo situatë e krijuar është mjaft komplekse, sepse buxheti po mban peng zhvillimin e qytetit dhe të gjitha investimet.
Në muajin janar, drafti duhej të hidhej për diskutim në Këshillin Bashkiak dhe në këtë periudhë të vitit të gjitha investimet e planifikuara duhet të nisnin të viheshin në zbatim.
Golemi: Mosprezantimi i buxhetit është katastrofë
Zoti Golemi ju keni drejtuar Bashkinë e Durrësit në vitet 1992 – 1996. Kur paraqitej buxheti në këshillin Bashkiak?
Përgatitjet për buxhetin e vitit pasardhës nisnin në vjeshtë dhe në muajin nëntor buxheti vinte para këshilltarëve të bashkisë për diskutim. Kuptohet ka patur mjaft përplasje dhe replika, por në muajin dhjetor buxheti i vitit të ardhshëm miratohej. Në pesë vite që unë kam drejtuar bashkinë e Durrësit, vetëm në një rast është miratuar buxheti në janar, kjo sepse pati shumë diskutime dhe u rikthye disa herë. Por si procedurë mbyllja e vitit ka shënuar miratimin e buxhetit për vitin e ri.
Ka një fenomen të ri këtë vit. Drafti nuk është paraqitur asnjëherë në Këshillin Bashkiak. A ka afate dhe limite kohore bashkia për të paraqitur draftin?
Nuk mund të them nëse fajin e ka administrata, por për probleme të vogla nuk duhet të mbahet peng buxheti i cili është i qytetarëve dhe jo i bashkisë. Është e pashpjegueshme, sepse afati i fundit duhet të jetë muaji janar për miratimin e buxhetit. Por edhe nëse drafti është penguar për mungesë përgjegjësie nga administrata, padyshim që komisioni juridik dhe ai i financës në Këshillin Bashkiak duhet të kishin ngritur zërin.
Çfarë pasojash ka mosmiratimi i buxhetit?
Mungesa e buxhetit për një qytet të madh dhe të rëndësishëm siç është Durrësi, paralizon investimet publike. Por i papranueshëm është koncepti që kanë për turizmin titullarët e pushtetit lokal. Që në vitin 1992 Durrësi u bazua në strategjinë e Transportit, Tregtisë dhe Turizmit. Nuk mund të mendohet në dy muaj, prill dhe maj, për Turizmin.
Qëndrimi im është i qartë për këtë çështje. Ashtu si qeveria që e miraton në fund të vitit buxhetin e vitit pasardhës edhe bashkia duhet të bëjë të njëjtën gjë. Edhe në muajin janar janë të vonuar, ndërsa në muajin prill pa buxhet është një katastrofë e madhe.
Hoti: Mosprezantimi i buxhetit, situatë e pakonceptueshme
Zoti Hoti, ju keni qenë kryetar bashkie gjatë viteve 2000- 2003. Në çfarë muajsh miratohej buxheti i bashkisë së Durrësit?
Në muajin e fundit të vitit, në dhjetor, administrata e bashkisë e mbyllte draftin, me të gjitha parashikimet. Në janar hidhej për diskutim dhe miratohej, menjëherë sapo qeveria miratonte grantet për Arsimin. Në fund të muajit të parë të vitit nisnin procedurat tenderuese, sepse nuk ka kohë, duhen minimalisht tre muaj për këto procedura. Para 10 vjetësh debatet kanë qenë të ashpra në Këshillin Bashkiak, por pasi drafti ishte marrë në shqyrtim kthehej për diskutim dy apo edhe tre herë në këshill derisa merreshin në shqyrtim të gjitha propozimet e bëra nga këshilltarët.
Këtë vit, jemi në fund të muajit prill dhe buxheti nuk është paraqitur akoma. Sa mundësi ka për realizimin e investimeve dhe projekteve për vitin në vazhdim?
Është një situatë që nuk di ta konceptoj. Pikë së pari edhe sikur buxheti të miratohej sot që po flasim duhen minimalisht tre muaj për procedurat tenderuese, duke mos marrë parasysh ankimimet, çka do të thotë se të gjitha projektet imediate për fusha të caktuara nuk mund të realizohen. Në vjeshtë, është pothuajse e pamundur të zhbllokohen fondet sepse, dega e thesarit, bën planifikimet për vitin e ardhshëm nga muaji shtator. Me një të dymbëdhjetën e buxhetit që operohet aktualisht bëhet vetëm alokimi i fondeve të emergjencës, në institucionet që varen nga bashkia, si në shkolla, kopshte dhe çerdhe.
Koka: Bashkia e Durrësit e papërgjegjshme
Zoti Koka, keni qenë kryetar i bashkisë së Durrësit, përfaqësues i PS-së, gjatë viteve 2003- 2006, ku shumicën e anëtarëve të këshillit e ka patur e djathta. Kur kalonte në Këshillin Bashkiak drafti i projektbuxhetit?
Në janar drafti kalonte në komisionin e Ekonomisë dhe të Financës dhe menjëherë më pas për diskutim në Këshillin Bashkiak pasi ishte marrë edhe opinioni i grupeve të interesit. Debatet në Këshillin Bashkiak të Durrësit midis forcave politike atë kohë ishin shumë të forta, por këshilli mblidhej pothuajse për çdo javë deri në miratimin e draftit përfundimtar.
Në fillim të muajit shkurt është miratuar buxheti gjatë tre viteve që unë kam drejtuar bashkinë e Durrësit, i shoqëruar me polemika të mëdha dhe replika nga ana e maxhorancës së djathtë. E gjithë administrata shpresonte që buxhetin ta kalonim një javë e më parë, sepse nga momenti i kalimit duhet të hapeshin procedurat për vënien në zbatim të projekteve.
Qeveria e ka kaluar që në muajin dhjetor grantin për pushtetin lokal, në kohën kur u miratua buxheti i këtij viti. Që në atë moment edhe bashkia e Durrësit duhet të kalonte draftin për diskutim në Këshillin Bashkiak.
Pa u miratuar buxheti nuk kryejmë dot asnjë veprimtari. Sot bashkia nuk u kryen qytetarëve asnjë shërbim dhe nuk vë dot në zbatim asnjë projekt për përmirësimin e infrastrukturës apo të projekteve në zonën e plazhit. Kush duhet të mbajë përgjegjësi?
Buxhetit tani i ka kaluar çdo afat i parashikuar. Para disa vitesh një herë ndodhi që buxheti u miratua në mars dhe në rrezik dështimi ishte zbatimi i projekteve. Administrata dhe kryetari i bashkisë duhet të mbajnë përgjegjësi, që penalizojnë rëndë të gjithë qytetarët dhe turizmin në Durrës. Ka katër vjet që në Durrës nuk ndërtohet asnjë investim publik serioz.
Është për të ardhur keq, që prej dy vjetësh Durrësi është pa buxhet. Një vit më parë u punua me një të dymbëdhjetën e buxhetit. Edhe këtë vit kështu po veprohet. Është tërësisht papërgjegjshmëri e bashkisë Durrës.
Edhe sikur në fillim të muajit maj të kalojnë buxhetin, asnjë investim i domosdoshëm dhe i rëndësishëm që duhet bërë në plazh për të mirëpritur turistët nuk mund të lëvrohet, sepse duhen 100 ditë kalendarike, para se të fillojë puna, nga miratimi i buxhetit. Në shtator nuk kryhen procedura tenderuese dhe në këtë mënyrë kjo bashki penalizon të gjithë qytetin.
ZAMIR RAMADANI
Do të kërkojmë interpelancë të dytë
Kryetari i grupit të këshilltarëve bashkiakë të PD-së, Zamir Ramadani, në një prononcim për gazetën “Dyrrah“ ka deklaruar se kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako nuk i është përgjigjur kërkesës për interpelancë në Këshillin Bashkiak, për dy çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me mos paraqitjen e buxhetit dhe ndarjes së apartamenteve për të pastrehët. Në këto kushte Ramadani ka garantuar se do të kërkohet përsëri interpelancë në Këshillin Bashkiak për të zbardhur arsyet se pse Bashkia e Durrësit dhe kryetari i saj nuk po paraqesin draft buxhetin dhe arsyet që nuk po ndahen banesat sociale. Po kështu kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë ka deklaruar se faturën për mos ngritjen e Këshillit të ri Kulturor e ka pushteti vendor që nuk ka tolerancën dhe transparencën e duhur për ta zgjidhur këtë problem.
ADRIAN ÇELA
Drafti i buxhetit, gati për Këshillin Bashkiak
Drafti i buxhetit të Bashkisë së Durrësit është gati dhe këto ditë do të kalojë në Këshillin Bashkiak. Konfirmimi vjen nga nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Adrian Çela, sipas të cilit vonesat kanë ardhur për arsye teknike dhe tashmë materiali i draft buxhetit po printohet dhe do të jetë gati shumë shpejt. Nga ana tjetër Çela ka akuzuar mazhorancën në Këshillin Bashkiak të Durrësit dhe veçanërisht përfaqësuesit e PD-së se po pengojnë qëllimisht Këshillin Kulturor për të bllokuar Bashkinë dhe aktivitetet kulturore. Sipas Çelës, e njëjta politikë u ndoq dhe për miratimin e paketës fiskale, ku ulja e taksave nuk u bë me qëllim për të mbrojtur qytetarët nga rritja e taksave, por për të rrudhur buxhetin e Bashkisë së Durrësit. “Uroj që kjo politikë të mos ndiqet dhe gjatë miratimit të buxhetit, pasi kështu ka ndodhur shpesh dhe historia mund të përsëritet”,- ka thënë Çela.