TIRANE, 5 prill 2013– Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se ka kopjuar nenet e ligjet e miratuara nga qeveria për arsimin.
Duke iu referuar deklaratave të bëra nga Rama dje në Durrës, Vorpsi theksoi se, “Dje në Durrës, zoti Rama mbrojti krijimin e vëndeve të punës nëpërmjet programeve qeveritare që kanë kohë që ekzistojnë si dhe vazhdoi serinë e fakteve imagjinare që ai krijon në dhomën e tij mavi. Dje u bëmë dëshmitarë të cudirave të reja të Z. Rama. Në mungesë të ideve të reja, z. Rama premtoi si ide të tij një normë ligjore të ligjit të arsimit parashkollor të votuar dhe miratuar në parlament qysh në shtator 2012, që parashikon emërimin e mësuesve në partneritet me prindërit e nxënësve. Në përpjekje për të thënë dicka Z. Rama po kopjon edhe nenet e ligjeve të miratuara nga qeveria. Kjo, dëshmon më së miri padijeninë e Ramës dhe njerëzve të tij”, tha ajo.
Ndër të tjera Vorpsi nënvizoi se, “zoti Rama vazhdoi të tregonte se jo vetëm që disponon të dhëna të gabuara, por ka dhe ide të gabuara. Zoti Rama në të vërtetë propozoi që Shqipëria të kthehet në një sistem ku familjet e varfëra në nevojë detyrohen nga qeveria lokale të bëjnë punë të detyruar në mënyrë që të përfitojnë asistencën sociale. Kjo, nuk duhet të jetë nje suprizë pasi ky ishte një sistem që ai e mbrojti si kryetar bashkie. Dhe le të jemi të qartë, këto familje do të detyrohen të punojnë për më pak se ç’është paga minimale. Kjo pra është, zgjidhja e zotit Rama për familjet që kërkojnë ndihmë ekonomike -familje që janë në nevojë-, ti detyrojë ato të punojnë për më pak se rroga minimale", tha ajo.
“Partia Demokratike e zgjeroi asistencën ekonomike për ato familje që lëngojnë dhe është e fokusuar në krijmin e vëndeve të punës, dhe jo punës me detyrim. Dhe është pikërisht kjo, aresyeja pse ne i rritëm pagat minimale, dyfishuam pagat dhe krijuam 200.000 vënde pune. Dhe është kjo arsyeja pse Partia Demokratike ka një plan realist dhe konkret për të krijuar 250.000 vende pune në katër vitet e ardhshme”, shtoi zëdhënësja e selisë blu.





