Në mungesë të një produkti konsensual në Grupin e dialogut, socialistët shfrytëzuan momentin e raportimit në Kuvend të kreut të KQZ Ilirjan Celibashi, për të paraqitur propozimin surprizë, që sipas tyre do të mundësojë më në fund, votën e diasporës.

Propozimin, që Damian Gjiknuri shprehu ambicien të mbyllet brenda korrikut në Kuvend, kërkoi ta përqafojë edhe opozita.

“Ka vetëm një mënyrë për të ardhur në pushtet, përmes votës. Për votën e diasporës kemi përgatitur 1 projektligj, ku do llogaritet vota, do llogaritet në qarkun ku ka qenë rezident (para emigrimit) lehtësimi i procedurave të regjistrimit të votuesit nga jashtë, emigranti deklaron adresën e banimit jashtë dhe hiqet nga lista e zgjedhësit këtu, shteti merr përsipër të dërgojë zarfin me fletën e votimit me postë, votohet deri ditën e zgjedhjeve” tha Damian Gjiknuri

Jo vetëm kaq, por Gjiknuri thotë se edhe 2 vendimet e tjera të Gjykatës Kushtetuese janë mirë menduar. Për herësin, që në zgjedhjet e shkuara ishte 10 mijë vota, por Gjykata e quajti jo-proporcional, PS propozon një formulë të re sipas qarqeve, ku herësi nuk shkon më shumë se 7 mijë vota.

 “Herësi: deri në 7 mijë vota”

Nuk do të ketë as prag për kandidatët e pavarur.

‘Kandidatët e pavarur duke qenë se kandidojnë në një qark, nuk kanë pse të kenë prag”

Në përgjigje, homologu i tij demokrat përsëriti akuzën politike se vota e diasporës mbahet peng qëllimisht, dhe se vullneti për ta realizuar është hipokrizi.

 “Kërkojmë llogaritje të drejtë të votës, jo në një adresë emigrantët, por thjesht të votojnë” tha Bylykbashi.

Replika patën edhe për votimin elektronik, për të cilën PS insiston se mund të zgjerohet në 5 qarqet më të mëdha të vendit.

“Qeveria shqiptare më ka dhënë garancinë për para në 5 Qarqet më të mëdha për votim elektronik. kanë filluar të kenë frikë edhe nga vota elektronike? Pse? Sepse dikush humbi zgjedhjet dhe tha se më vodhën me elektronikë” tha Gjiknuri.

Ndërsa këto debate zhvilloheshin mes PD dhe PS në Kuvend, grupi i Bashës nuk ishte i pranishëm, por paralel në një takim të shfryrë nga aleatët tradicionalë, ish kryedemokrati kërkoi realizimin e votës së diasporës.