KQZ dhe OSBE po mbajnë një konferencë për mediat në lidhje me votimin e emigrantëve. Gjatë fjalës së tij në Konferencën Kombëtare “Votimet nga jashtë, koha është tani”, Ilirjan Celibashi është shprehur se realizimi i procesit të votimit nga jashtë, të përfundojë jo më vonë se vjeshta e vitit që vjen.

Ilirjan Celibashi: Në pikëpamjen time, votimi nga jashtë, veçanërisht në herën e parë të tij, ka si kusht të domosdoshëm pasjen e një konsensusi, jo sa më të gjerë politik, por thuajse të plotë, mbi çdo aspekt përgatitor dhe realizues të këtij procesi. Në kushtet kur votimi brenda vendit shoqërohet thuajse çdo herë nga kundërshti për rezultatin zgjedhor, është e qartë që duhet të vendosim për realizimin e këtij procesi, pasi të gjithë faktorët relevant, politik dhe institucionalë të kenë kontributet e tyre në këtë proces.

KQZ është e vendosur dhe e ka bindjen e plotë se përmbushja e përgjegjësive të saj institucionale në lidhje me votimin nga jashtë, nuk mundet të jetë e plotë dhe e dobishme nëse në rrugën e përmbushjes së tyre ne nuk konsiderojmë të gjithë faktorët e interesuar në këtë proces.

Partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, institucione dhe organizata partnere ndërkombëtare, janë të ftuara për të qënë pjesë e përgatitjes së procesit të votimit nga jashtë. Gjithë kuadri rregullator për votimin nga jashtë do të konsultohet që në fazën e draftimit me të gjithë grupet e interesit, përfshirë këtu edhe partitë politike. Ne synojmë që këtë proces ta përfundojmë jo më vonë se vjeshta e vitit që vjen. Në pamje të parë duket se është një periudhë kohë e gjatë dhe e mjaftueshme për të ndërtuar gjithë arkitekturën rregullatore dhe normuese të këtij procesi, por nuk është kështu.

Gjithashtu, Celibashi ka theksuar se për këtë proces, do të duhet të miratohet një kod zgjedhor vetëm për votimin nga jashtë. Komisioneri ka shtuar se shpreson që të merret një konsensus i plotë mbi përmbajtjen e rregullave të përcaktuara në lidhje me votimin e emigrantëve.