DURRËS, 22 maj 2013 –FRD-ja pritet të dëmtojë PD-në në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, thotë e përditshmja “Shqip” në numrin e 22 majit.

Në Durrës gara duket interesante, pasi i krijon shumë hapësira FRD-së që të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në këtë qark, shkruan njësia e “Top-Media”-s.

Të majtës i duhet shumë punë për të marrë mandatin e 7-të në Durrës, pasi e ka të domosdoshme të rikuperojë rezultatin e zgjedhjeve të 2009-s, praktikisht të sigurojë të paktën 3500 vota më shumë nga ç’mori në zgjedhjet e kaluara.

Në këtë qark FRD-ja prezantohet me dy figura të rëndësishme në zgjedhjet e kaluara, si Gazmend Oketa, i cili gëzon dhe simpatinë e elektoratit e djathtë të bashkisë së Durrësit.

Ndërsa sa u përket zonës rurale, FRD-ja prezantohet para elektoratit me kandidatin e saj, Sami Gjergji, i cili njihet për influencën e tij në zonën e Sukthit dhe Shijakut.

Në fakt, këtu ka një pasaktësi, pasi qyteti buzë Erzenit ndodhet nën ndikimin e ish-volejbollistit, Agron Duka.

Dhe meqë prodhuesi i vezëve “AIBA” kandidon për PR-në, në aleancën e djathtë të Berishës, do të kemi dhe një përplasje pularish “të djathta”: kush do t’ia thyejë “vezët” njëri-tjetrit!

Kurse në Sukth, Manzë, Maminas, Xhafzotaj, Rrashbull, Katund i Ri, Ishëm ish-prodhuesi i vezëve “Floryhen” Sami Gjergji ka epërsinë e të qenit pronar i fabrikës së qumështit “Primalat”.

Stabilimenti ndodhet në magjistralin e rrugës Sukth-Manzë, Qendër Sukth, 50 m në të majtë të kësaj rruge.

“Primalat”-i ka kapital me vlerë 6 milionë euro, ndërkohë që punësoi drejtpërdrejt 90 vendës, por tërthorazi u sjell të ardhura rreth 1000 familjeve fermerë në Durrës e Fushë-Krujë, pa përmendur edhe 1500 të tjerave në Lushnjë, Fier, Tiranë, Lezhë e Shkodër.

Nisur nga ky përfaqësim i FRD-së, koalicioni i djathtë rrezikon të dëmtohet duke humbur një mandat tjetër, gjë që do bënte të mundur që rezultati të jetë 6 mandate të majta, 6 të djathta dhe të paktën 1 mandat FRD-ja, mendon “Shqip”-i.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/