Arkend Balla, kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, ka marrë mbi 18.364 vota preferenciale kur janë numëruar 481 kuti nga 493 në total, dhe kur ende nuk ka nisur numërimi i votës së diasporës. Rezultati i Ballës kalon rezultatin e kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e vitit 2021, i cili në atë kohë grumbulloi 15,871 vota në të njëjtin qark, duke rezultuar kandidati më i votuar.

Kujtojmë se, Balla zëvendësoi në Kuvend ish-deputetin Rrahman Rraja në vitin 2023, pas dorëheqjes së këtij të fundit pas publikimit të një videoje ku djali dhe vëllezërit e tij dhunonin dy persona nga fshati Borizanë i Krujës.

Aktualisht, procesi i numërimit ka përfunduar në Durrës, ndërkohë që nuk ka nisur ende numërimi i votave preferenciale të ardhura nga diaspora për kandidatët në listë të hapur.