Kancelari gjerman Olaf Scholz, kërkoi të hënën në Bundestag votëbesimin e Parlamentit Gjerman, për të hapur rrugë për zgjedhjet e reja. Zgjedhjet e reja janë një hap i nevojshëm për të tejkaluar bllokimin politik aktual, – argumentoi Scholz. 

Për këtë arsye, në votimin e mbajtur pas mocionit të votëbesimit, vetëm 207 deputetë votuan pro, 394 kundër dhe 116 abstenuan. Me këtë rezultat, Scholz nuk mundi ta siguronte shumicën e nevojshme prej 367 votash. 

Scholz theksoi rëndësinë e një qeverie të qëndrueshme dhe të bashkuar për të adresuar këto çështje, duke shtuar: Gjermania ka nevojë për vendime të guximshme dhe këto mund të merren vetëm me mbështetjen e plotë të qytetarëve tanë për një drejtim të ri politik.

Scholz pranoi se koalicioni tripartiak i qendrës së majtë, i përbërë nga SPD, Të Gjelbrit dhe FDP, kishte qenë sfidues që në fillim.

“Ruajtja e këtij koalicioni kërkonte shumë energji, ndërsa përfundimi i tij ishte po aq i vështirë,” – tha Scholz. Ai kritikoi ish-ministrin e Financave, Christian Lindner (FDP), për bllokimin e reformave thelbësore në ekonomi dhe infrastrukturë.

Kancelari aktual, i cili kandidon sërish në zgjedhjet e shkurtit, premtoi të përqendrohet te reformat e ushtrisë, përmirësimi i infrastrukturës dhe fuqizimi i ekonomisë gjermane.

Ai gjithashtu mbrojti një politikë më të hapur integrimi, duke theksuar rëndësinë e fuqisë punëtore të huaj për ekonominë: Kush jeton, punon dhe flet gjermanisht, duhet të ketë mundësinë të qëndrojë këtu, – tha Scholz. /DW