Paria Socialiste i ka kthyer përgjigje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me votimin elektronik, ku i ka kërkuar që përveç Durrësit dhe Elbasanit të përfshihet edhe Tirana, si qarku më i madhe.

“Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votusit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit”, thuhet në shkresë.

PS argumenton se votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.

“Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e dates së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun  Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik”, thuhet ne dokument, duke theksuar se “Në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, kërkojmë që zhvillimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës”.

Shkresa drejtuar KQZ:

I nderuar Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,

Me shkresën tuaj nr. 2948 Prot., datë 11.10.2024 jemi vënë në dijeni në lidhje me propozimin për zhvillimin e votimit elektronik, në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, në qarkun Elbasan dhe Durrës.

Duke ju falenderuar për mundësinë e ndarjes së mendimeve rreth kësaj çështjeje me rëndësi specifike në procesin zgjedhor, Ju përcjellim propozimin si vijon:

Së pari, shprehim dakortësinë tonë që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit.

Së dyti, kërkojmë që votimi elektronik të shtrihet dhe në Qarkun e Tiranës, për arsyet si më poshtë:

Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votusit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit.

Nga ana tjetër, votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.

Tashmë votimi elektronik është një procesi i njohur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Nisur nga fakti që Tirana, e para ka realizuar modelin pilot të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, është krijuar një eksperiencë nga qytetarët në këtë proces.

Nga ana tjetër, është fakt se qarku Tiranë, ofron të gjitha kushtet optimale sa i takon burimeve njerëzore dhe infrastrukturës në tërësippër realizimin me sukses të këtij procesi.

Vlen për tu përmendur, afërsia e KQZ me zonat zgjedhore, pasi do të jetë kjo e fundit që do të trajnojë aktorët dhe do të ofrojë shërbimin për realizimin efektiv të këtij procesi.

Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e dates së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun  Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik.

Për të gjitha arsyet e parashtruata më sipër, propozojmë përfshirjen e qarkut Tiranë, krahas qarkut Elbasan dhe Durrës në zhvillimin e votimit elektronik.

Në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, kërkojmë që zhvillimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës.

Me respekt,

SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHORE

                               DAMIAN GJIKNURI