Ramush Haradinaj ka përshëndetur nga SHBA formimin e qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin edhe pse partia e tij e bojkotoi votimin.

Kryeministri në ikje shpreh besimin se qeveria e re do t’i dalë për zot çështjeve të qytetarëve, ndërkohë bën me dije se mandatin e tij të kryeministrit do e dorëzojë zv.kryeministri po në ikje Behgjet Pacolli.

Edhe vizita zyrtare në SHBA si kryeministër e Haradinajt ishte e caktuar më parë, por do të jetë e fundit për të si kryeministër i Kosovës.

STATUSI I RAMUSH HARADINAJT:

Nga sot, Kosova ka hyrë në një fazë të re me krijimin e institucioneve.

Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë.

Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin.

Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e ZëvendësKryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar.

Edhe njëherë shpreh besimin që Qeveria e re, t’i dalë zot temave të rëndësishme për qytetarët tanë.