TIRANË- Plani rregullues i Tiranës dhe pr/buxheti për vitin 2013 është gati dhe pritet që sot të miratohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Pritet që këshilltarët të vendosin marrjen e një vendimi unanim, ndërkohë që dje PS deklaroi votën kundër planit të ri urbanistik si dhe buxhetit.
Plani rregullues i Tiranës, jo vetëm i ndërtimeve në kryeqytet, por edhe i shumë shërbimeve jetike për qytetarët, vitin që vjen do të marrë jetë, pasi të kalojë edhe në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit (KRRTRSH).
Ndërkohë, Kryebashkiaku Basha ka theksuar më parë se projekt/buxheti afatmesëm i hartuar nga bashkia dhe që pret miratimin nga Këshilli Bashkiak është garanci se çdo projekt që do të nisë, do të përfundojë brenda këtij mandati.
Konsensus për disa vendime për biznesin
Këshilltarët e majtë dhe të djathtë kanë gjetur konsensus për disa ndryshme në vendimet për biznesin. Basha ka përshëndetur konsensusin.
Miratohet pika e parë e rendit të ditës
Miratohet sistemi i taksave dhe tarifave vendore.
LSI-PS: Transparencë dhe studim për antenat e celularëve
Kreu i këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi kërkoi transparencë për taksën e antenave të celularëve duke deklaruar votën kundër këtij projekti. “Nuk jemi për këtë taksë pasi duam më shumë transparencë ndaj ju votojmë”, tha Dalipi.
Edhe përfaqësuesit e LSI kërkuan më shumë transparencë. Përfaqësuesi i LSI, Shezai Rrokaj, tha se para marrjes së një vendimi të tillë duhet një studim i detajuar.
Basha: Të heqim petkun e politikës për qytetarët
Kryebashkiaku Lulzim Basha në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit u bëri thirrje këshilltarëve që të gjejnë konsensus për të mirën e qytetarëve.
“Basha në mbledhjen e fundit uroi festat. Shpresoj që mbledhja e fundit të reflektojë sa më shumë problemet e qytetarëve. Mendoj se këto janë vendime të rëndësishme dhe theksi duhet vendosur tek qytetarët. Edhe nëse nuk kemi pika takimi 100% mund të kemi takim për problemet e qytetarëve. Jam i sigurtë po të zhveshim mantelin që na detyron pozita e dyfishtë si këshilltar dhe anëtar të partive politike mundet që të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Basha.
Ndërkohë, duke iu përgjigjur akuzave të këshilltarëve socialistë kryetari i Tiranës, sqaroi se destinacioni i tarifës për antenat e celularëve do të shkojë për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Nuk bëhet fjalë për një praktikë të re. Destinomi i tarifës do të shkojë 100 % për ambientin dhe kushtet ku jetojnë qytetarët e Tiranës”, theksoi Basha.
Antenat e celularëve, taksë 2 mln lekë, PS: Arka juaj bosh dhe po vini gjoba
Kompanitë e telefonisë celulare që operojnë në vendin tonë, duke nisur nga viti 2013 do t’i paguajnë Bashkisë së Tiranës 2 milionë lekë në vit për çdo antenë që kanë mbi pallate. Ky është një projektvendim i hartuar nga bashkia e kryeqytetit dhe pritet të kalojë për miratim në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak. Deri më tani në kryeqytet rezultojnë të jenë rreth 260 antena të telefonisë së lëvizshme, të cilat pritet t’i nënshtrohen kësaj takse të re.
Përfaqësues socialist në këshill kundërshtuan vendimin e Bashkisë së Tiranës, duke akuzuar se me taksa të padrejta bashkia po përpiqet të mbushë arkën bosh.
“Rruga për ne është e paligjshme se nuk mund të vendosësh taksë për biznese, pavarësisht se ne nuk kemi ndonjë sensibilitet të veçantë. Kjo është mënyrë për të mbushur arkën bosh të bashkisë, po arka nuk mbushet me gjoba”, deklaroi këshilltari i PS-së, Eridian Saliani.