Anëtari dhe themeluesi i Partisë Demokratike, Ndue Lugja ka votuar ditën e sotme në Pallatin e Kulturës në Durrës për shkarkimin e Luzim Bashës nga posti i kryetarit.
Në një intervistë për “DurrësLajm” ai shprehet se nuk duhet të kishte një referendum për shkarkimin e Bashës, pasi atë e vendosi Kuvendi i 11 dhjetorit.
Lugja tha se nuk ka më besim te Basha, pasi ai ka humbur çdo nismë që ka marrë për të sjellë PD-në në pushtet. Ndërsa shton se Berisha është shpresa e tyre e fundit.
“Nuk duhej një votim mbarëpopullur kur Kuvendi vendosi, Unë mund ta them me gjithë bindjen, ai (Basha) ishte i humbur, ka marrë pjesë në të gjitha demostratat dhe ka humbur.
Kjo ishte shpresë. Nëse edhe Doktori do të na tradhëtojë atëhere ne nuk kemi më shpresë”,- tha Lugja.