Mëngjesin e sotëm kanë votuar të katër kandidatët që garojnë në këto zgjedhje për Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat tjetër në krye të qeverisë, votoi së bashku me bashkëshorten e tij, në Prishtinë.

Albin Kurti: Ditë e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. I falenderoj qytetarët që kanë votuar dhe inkurajoj çdonjërin që të votojë. Ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme. Gëzuar dhe suksese!
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Haradinaj është kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët dhe votoi orën 9:00 në shkollën e mesme “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Haradinaj ishte i shoqëruar me familjen, ndërsa dy fëmijët e tij votojnë për herë të parë. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës.
Ramush Haradinaj: “Ka filluar mirë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të votoni. Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbarë dhe suksese”, tha ai.

Lumir Abdixhiku, kandidati i LDK-së për Kryeministër, parti të cilën e udhëheq vetë, ka votuar mëngjesin e sotëm në orën 10:00 në Prishtinë.
Pas votimit, Abdixhiku është shprehur se kjo është një ditë feste dhe ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje për fatin e Kosovës në 4 vitet e ardhshme.
Lumir Abdixhiku: Ju falenderoj të gjithëve për prezencën tuaj dhe shërbimin që po bëni në këtë ditë të demokracisë. Është ditë e mirë, ditë e demokracisë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në votime për fatin e Kosovës në 4 vitet e ardhshme. Është ditë feste, zgjedhjet janë gjithmonë festë. Le të angazhohemi për një ditë demokratike.

Kandidati për Kryeministër të Kosovës nga ana e PDK-së, Bedri Hamza ka votuar rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm.
Në një prononcim për mediat, Hamza ka thënë se pret fitoren pas procesit të votimit, megjithatë ka shtuar se do të pranojë cilindo rezultat të zgjedhjeve.
Bedri Hamza: I lus qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejtë për të zgjedhur qeverinë për 4 vitet e ardhshme. Uroj dhe besoj që çdo gjë të shkojë mirë. Sovrani vendos! Për mua çdo rezultat është i pranushëm. Ka qenë një fushatë e gjatë. Pas orës 19:00 pres fitoren! Sigurisht që pres fitoren!






