4 korrik 2015 – Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque”, mbrëmjen e kaluar ka “ndaluar” në Durrës. Koncerti i grupit francez “Aashenayi”, që në gjuhën perse do të thotë “Ritakim”, është zhvilluar në mjediset e Muzeut Arkeologjik të qytetit antik.

Kompleksi me artistë nga vende të ndryshme të Evropës dhe Azisë interpretoi pjesë tradicionale nga Spanja, Rumania, Turqia, Afganistani, Italia, Armenia dhe Greqia.

Grupi që përbëhet nga dy këngëtarë dhe tre instrumentistë luan me ngjyrat muzikore tradicionale duke krijuar një atmosferë ndjesore të veçantë.

Edicioni i dytë i Festivalit “Vox Baroque” ka nisur të premten në mbrëmje në Tiranë  dhe do të vijojë deri më 8 korrik me koncerte që do të realizohen në monumentet historike dhe natyrore si në Muzeun e Krujës, në Muzeun “Onufri” të Beratit, në Kishën e Shën Nikollës në Voskopojë dhe në fshatin Shipskë të Korçës. 

Vitin e kaluar ky Festival u organizua në Vilën mbretërore në Kodrën e Durrësit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/