Prokuroria e Durrësit përfundon hetimet dhe dorëzon për gjykim dosjen penale për Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metën.
Për Hygerta Metën dhe vëllanë Hyseni është ngritur akuza e vrasjes me paramendim, ndërsa për Amarildo Metën vetëm akuzë e asgjësimit të kufomës.
Ngjarja e rëndë, arsyet e së cilës mbeten ende mister, ndodhi më 10 shkurt, por u zbulua nga policia vetëm më 22 shkurt, disa ditë pasi djali i madh i viktimës, Hyseni, denoncoi zhdukjen e të atit.
Hygerta dhe Hysen Meta akuzohen se kanë vrarë të atin, ndërsa dyshohet se në bashkëpunim me vëllain e tyre Amarildon, më pas e groposën në sallën e bagëtive, ku edhe u gjet trupi i pajetë i viktimës.
25-vjeçari Hysen Meta akuzoi të motrën, Hygertën, si autore të krimit duke u shprehur se ishte ajo që e qëlloi për vdekje të atin.
Vrasja e Pëllumb Metës
Hysen Meta denoncoi të atin të zhdukur më 13 shkurt, duke pretenduar në polici se kishin humbur kontaktet. Uniformat blu nisën hetimet dhe në datën 17 shkurt gjetën automjetin e viktimës në zonën e quajtur “Sektori Rinia”, duke u ngritur dyshimet se kishim të bënim me vrasje dhe jo me zhdukje.
Ndërkohë 12 ditë pas zhdukjes së 51-vjeçarit, trupi i tij u gjet i groposur në kasollen pranë banesës së familjes në Shënavlash të Durrësit. Hygerta Meta, në dëshminë e dhënë për policinë pranoi se kishte vrarë babain pasi ai donte ta fejonte pa dëshirë.
Por uniformat blu, njofuan një ditë pas zbulimit të trupit se autor i vrasjes ishte djali i madh, Hysen Meta, i cili sipas tyre e kishte qëlluar Plumb Metën me 4 plumba.
Ky i fundit në deklaratën për policinë pranoi se kishte vrarë babain, version i cili u ndryshua gjatë dëshmisë para togave të zeza në Gjykatën e Durrësit, ku e mohoi të ishte përfshirë në krim.
Autorësinë e mori përsipër 19-vjeçarja, e cila tregoi edhe dinamikën nga momenti që kishte marrë vendimin për të vrarë të atin, deri në momentin që e qëlloi për vdekje.