Itali, 10 qershor 2014 – 4 shqiptarë janë mes 9 personave të arrestuar nga policia italiane për vrasjen e 62 vjeçarit Pietro Mannisi, person me precedentë penalë. Vrasja e tij ndodhi natën mes 22 dhe 23 shkurtit, në afërsi të stacionit të Lambrates.
Personat e arrestuar, me urdhër të prokurorisë së Milanos, akuzohen për vrasje, armëmbajtje pa leje, vjedhje dhe trafik lëndësh narkotike. Sipas policisë, prishja e marrëveshjeve për tregtinë e drogës mendohet se shkaktoi vdekjen e 62 vjeçarit italian që u gjet i vdekur brenda makinës së tij, në një rrugë të izoluar.
Ngjarja
Sipas hetuesve, Mannisit iu organizua një kurth nga një italian 38 vjeçar W.D. dhe një 28 vjeçar maroken C.E.M. Kur Mannisi mbërriti në vendin ku ishte lënë takimi, aty po e prisnin dy shqiptarët A.K., 28 vjeç dhe B.B., 29 vjeç.
Ata kanë zbritur nga makina e tyre tip Audi A3, janë drejtuar drejt automjetit Fiat Punto të Manninit dhe kanë qëlluar 4 herë. Dy prej plumbave e kanë goditur në kokë 62 vjeçarin, që ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Sipas policisë, 28 vjeçari shqiptar A.K., që njihej nga të gjithë me emrin Fred ishte kapoja i një grupi shpërndarësish droge në atë zonë. 62 vjeçari Mannisi kishte blerë një kg kokainë në Aleksandri dhe po përpiqej ta shiste tek shpërndarësit e vegjël. Pikërisht kjo gjë nuk i ka pëlqyer Fredit, që ka urdhëruar vrasjen e 62 vjeçarit.
Bashkë me 2 shqiptarët që ekzekutuan Mannisin, italianin dhe marokenin që ishin të pranishëm në vendngjarje, në pranga kanë përfunduar edhe dy shqiptarë të tjerë, dy italianë dhe dy rumunë. Ata dyshohet se ishin pjesë e bandës së drejtuar nga shqiptari Fred.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





