Drejtoresha e shërbimeve arsimore Rozana Vrapi shpjegon procesin e korrigjimit të maturës shtetërore 2020.

Vrapi ka sqaruar se korrigjimi i testeve do të behet në mënyrë digjitale dhe që diplomat do të jenë gati në 1 korrik.

Bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar. Më datë 1 korrik, maturantët të cilët do të studiojnë jashtë, do të kenë në dorë diplomën e Maturës Shtetërore”, tha Vrapi.

Drejtoresha e QSHA tha se korrigjimet e testeve të maturantëve do të jetë në mënyrë dixhitale me skaner pasi testi do të përmbajë 60 pyetje me alternativa dhe kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, ndërsa ka siguruar maturantët se kjo mënyrë është shumë e saktë.

“Nxënësit pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procedohet përmes skanerëve. Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur”