Nga Riviera Dedaj
Anjeza Shabani ishte emri më i komentuar dhe anatemuar dje në mbrëmje në Shqipëri. Por sikur të ishte vetëm një Anjezë dhe vetëm një rast i dhunës ndaj fëmijëve do prisnim dënimin e saj dhe KAQ.
JO, situata është alarmante. Pamjet që transmetoi emisioni “Stop” në TV Klan të lënë një shije kaq të hidhur, një urrejtje që nuk përshkruhet dot me fjalë. Një fëmijë vetëm 3 vjeç dhe për më tepër me probleme në të shprehur rrihet barbarisht në kopsht. Rrihet në një institucion privat, ku prindi paguante. Prindi paguante makabritetin mbi fëmijën e tij. Dhe rrihej pikërisht nga ajo që kishte hapur këtë biznes.
Dhe këtu nis në fakt problemi. Dhjetëra e qindra institucione arsimore në vend janë të palicencuara. Edhe ato që janë të licencuara, rrallë kontrollohen.
Ku është Ministria e Arsimit në këtë rast? Ku është Drejtoria Arsimore Tiranë që e ka detyrë të kontrollojë këto institucione? Po Ministria e Mirëqenies Sociale ku është? Kush mban përgjegjësi në këtë vend për shëndetin dhe rritjen e fëmijëve? Janë të gjithë të fokusuar te reforma në drejtësi. Pse? Shumë e thjeshtë, sepse gjyqtarët u duhen…t’i përdorin natyrisht! Askush nuk shqetësohet për shëndetësinë dhe arsimin. Andaj pa na ikur shija e hidhur e rastit të dhunës në jetimoren e Durrësit, vjen ajo e Shkodrës, më tej kjo në Tiranë. Pse duhet të presim kamerën e fshehtë të radhës, pse? Pse nuk duhet të protestojnë për fëmijët tanë?
Dënimi i Anjeza Shabanit është më e pakta që duhet të ndodhë dhe mbyllja e këtij aushvici me emrin kopshti “Diren”.
Ajo që pres unë dhe çdo shqiptar (besoj) është të japë dorëheqjen personi përgjegjës për kontrollin e kopshteve dhe gjithë institucioneve arsimore në vend. Dhe këtë ta gjejë vetë Kryeministri Edi Rama!
Dikush duhet të përgjigjet në këtë vend për të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe pse mund te duket e ekzagjeruar, ajo që “Stop” transmetoi, është më shumë se sa krim. Është një situatë e tërë kriminale!
/Opinion.al





