DURRES, 14 maj 2013- Vrasja virtuale kthehet në reale. Sherri i nisur në ambientet e një interneti mes një adoleshenti dhe një të mituri përfundoi tragjikisht me vdekjen e 15-vjeçarit. Viktima dhe autori 18- vjeçar po luftonin virtualisht me armë në një video game në internet, por pasi kanë dalë jashtë, vrasja është bërë realitet. Policia e Durrësit bëri të ditur se Fatos Daçi, 15 vjeç, humbi jetën pasi është qëlluar me thikë në zemër nga shtetasi Xhulio Leka.

Po luanin video game me vrasje në internet. Dëshmitarët në pikën e internetit: U zunë për “vrasjen” virtuale, por e kthyen në realitet.

Ngjarjat e rëndë ndodhi rreth orës 12:45, në Plazhin e Durrësit, në sektorin “Iliria”, duke shkaktuar panik te dhjetëra qytetarë që ndodheshin në ato momente në vendin e krimit. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i pohuan grupit të hetimit se adoleshentët kanë debatuar ashpër dhe janë fyer me njëri-tjetrin në një pikë interneti që ndodhej në mes të lagjes. Pasi kanë dalë prej saj, ata janë përplasur sërish në rrugë. 18-vjeçari Xhulio Xheka ka nxjerrë thikën që e mbante të fshehur në rroba dhe e ka qëlluar në zemër shokun me të cilin pak minuta më parë po luanin bashkë.

Kalimtarë të rastit e kanë transportuar menjëherë për në Spitalin e Durrësit viktimën, por ai ndërroi jetë pak minuta pas mbërritjes. Mjekët thanë se 15- vjeçari kishte humbur shumë gjak dhe se thika i kishte prekur organin jetësor. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti policia. Ata identifikuan dhe arritën të arrestonin në një kohë mjaft të shpejtë autorin, i cili, siç mësohet, ka pranuar krimin e rëndë.

“E vrava pasi u zumë për lojën në internet se kush e kishte vrarë njëri-tjetrin. Më shau. Nuk mund t’i duroja fyerjet, ndaj e vrava”, është shprehur i riu pas arrestimit.

Dëshmitarët tregojnë se gjithçka ka ndodhur në pak minuta. “Isha duke biseduar me një shokun tim këtu në anë të rrugës, vetëm kur dëgjuam një të bërtitur. Kthejmë kokën dhe pamë që një fëmijë ishte shtrirë në tokë dhe po e mbulonte gjaku, ndërsa një tjetër, disi më i madh dhe më i bëshëm, po vraponte përmes pallateve me thikë në dorë. Shkuam për të ndihmuar fëmijën. Na kapi paniku, pasi plaga nga po rridhte gjaku ishte në zemër. Kërkuam ndihmë nga personat që kishin aty pranë bizneset dhe e transportuam për në spital”, u shpreh njëri prej banorëve të lagjes ku ndodhi krimi i rëndë.

Autori ishte i punësuar me kohë të pjesshme për shpërndarjen e picave me motor. Policia ka marrë në pyetje edhe personat që ndodheshin në pikën e internetit, ku dhe nisi konflikti mes viktimës e autorit. Ata kanë pohuar se gjithçka kishte nisur për shkak të një loje online me të cilën po luanin prej disa minutash. Policia bëri të ditur se 15-vjeçari dhe adoleshenti që kreu vrasjen ishin banorë të së njëjtës lagje, ndërsa asnjëri prej tyre nuk e frekuentonte shkollën.

/Panorama/