Të tjera detaje janë publikuar në lidhje me arrestimin e autorit, Albano Velo, që vrau me armë zjarri biznesmenin, Edmond Papa më 16 dhjetor në mes të një lokali te ‘Komuna e Parisit’ në Tiranë.

Mësohet se Velo është larguar nga Shqipëria drejt Francës katër ditë pas atentatit ndaj Edmond Papës.

Velo është arrestuar nga policia shqiptare më 31 dhjetor, në aeroportin e Rinasit, teksa ka hyrë në territorin shqiptar.

Ai është djali i një efektivi policie, Dilaver Velo, që punon në një nga komisariatet e Tiranës.

Gjithashtu është shpallur në kërkim bashkëpunëtori A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë. Velo dyshohet se është organizatori i vrasjes.

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën arrest me burg për Albano Velon. Por Velo ka mohuar akuzën në lidhje me atentatin, ndërsa dyshohet si personi që ka mbajtur nën vëzhgim Papën para ekzekutimit dhe ditën qe ndodhi vrasja.

Kujtojmë që Papa u ekzekutua mbrëmjen e 16 dhjetorit në hyrje të një lokali në rrugën “Fadil Bodinaku“ Tiranë. Ai sapo ishte ulur në lokal kur u qëllua me 9 plumba nga një person i maskuar. Edhe pse 49 vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Biznesmeni me origjinë nga Roskoveci, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë. Ai kishte ardhur në Tiranë më 16 dhjetor tek vëllai i tij, që banonte pak metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje.

Dëshmitarët okularë i treguan policisë se ai iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit në tavolinë.

Hetimet ishin fokusuar në dy pista. Ajo e konflikteve të mundshme për shkak se 49-vjeçari zotëronte disa prona në Ksamil, si dhe hotelin ‘Blu Sky’ në Sarandë. Pista e dytë janë konfliktet për drogën. Biznesmeni Edmond Papa ka qenë dënuar më parë në Greqi për trafik të lëndëve narkotike.

Pjesë e këtij hetimi është edhe vrasja e Aleksandër Sadikajt, makina e të cilit u hodh me tritol në qershor të vitit të kaluar në Tiranë.