Vrasësi i Orlandos dhe gruaja e tij shkëmbyen SMS në celular gjatë masakrës në klubin e natës.
Bazuar në burimet brenda forcave të rendit, “CNN” shkruan se rreth orës 4:00 të mëngjesit të së dielës, dy orë pasi kishte nisur sulmi dhe agresori përballej me policinë, Omar Matten i shkroi gruas së tij Noor Salman duke e pyetur nëse i kishte parë lajmet.
Gruaja u përgjigj duke i deklaruar dashurinë e saj. Gjithashtu, thuhet se ajo u përpoq t’i telefononte burrit të saj disa herë gjatë masakrës dhe përballjes me policinë, por ai nuk u përgjigj.
Salman ka dhënë disa dëshmi kontradiktore për ato që dinte për planet e burrit të saj dhe sipas policisë, ajo nuk lajmëroi asnjë person për masakrën, pavarësisht se e dinte shumë mirë ç’do të ndodhte.
Hetuesit thonë se Omar Mateen i fliste gruas së tij prej muajsh, apo ndoshta prej vitesh, për atë që donte të bënte dhe ajo nuk reagoi as kur ai shpenzoi mijëra dollarë për të blerë armë dhe municione.
Noor Salman është në qendër të vëmendjes së autoriteteve dhe pritet që ajo të paditet, ndërsa vazhdon hetimi për vrasjen e 49 personave dhe plagosjen e më shumë se 50 të tjerëve në klubin e homoseksualëve.





