18 shtator 2015 – Vrasësi gjakftohtë Sokol Mjacaj, që grabiti e vrau në korrik të këtij viti dy turistë çekë në Prekal të Shkodrës, ka vendosur pas kaq kohësh të flasë për krimin e tij.
Në një intervistë telefonike për “Gazetën Shqiptare” nga burgu i Lezhës, Mjacaj ka shfaqur pendesë të thellë që u mori jetën dy njerëzve të pafajshëm.
Qëllimi sipas tij ka qenë vetëm për t’i grabitur dy të rinjtë çekë që nuk i njihte fare. Thjesht kishte dalë për të grabitur dhe rastësia qëlloi që të ndeshej me Michael Svatos dhe Ana Kosinovan.
20-vjeçari u kërkon falje prindërve të viktimave dhe u thotë që “t’ia bëjnë hallall”.
“Jam shumë i penduar. Ajo çfarë ndodhi nuk kthehet më pas. Të kisha sesi ta ktheja, do isha gati. Disa njerëz mendojnë se flet kot ky, por ata… unë e mendoj vetë, do jepja jetën time në vendin e tyre.
Prindërve të tyre u kërkoj shumë ndjesë. Ma bëni hallall për çfarë u kam bërë. Ju kërkoj shumë falje”.
Pasi është arrestuar, Sokoli thotë që nuk ka kontakte me familjen, vetëm me vëllanë që ndodhet larg, flet në telefon. Ndërsa në burg e kanë vizituar vetëm dy djemtë e dajës.
/S.L. portali DurresLajm/