29 maj 2015 – Shtetasi italian Salvatore Letizia, njëri prej 3 të arrestuarve për krimin e ndodhur në Tiranë dy ditë më parë, jo vetëm që dyshohet se është vrasës me pagesë, por dhe anëtar i Kamorras në Itali.
Tashmë për 33-vjeçarin nga Napoli, me disa precedente penale në Itali, po hetohet gjithashtu edhe për pjesmarrjen e tij në organizata mafioze. Autoritetet e vendit fqinj e konsiderojnë atë si një nga kapot e një prej klaneve të Kamorras të quajtur ‘Picollo letizia’.
Në vitin 2001, xhaxhai i tij, kamorristi i njohur Armando Letizia, i njohur në botën e kriminalitetit apenin si organizatori i një seri vrasjesh për llogari të Kamorras, u arrestua pas një aksioni të policisë italiane.
Ndërkaq, ngjarja për të cilën u arrestua Salvatore Letizia në Tiranë, dyshohet se ka ndodhur nga prishja e pazareve te drogës dhe një vrasje e ndodhur në Holandë. Nga përplasja me armë mes bandave në bulevardin “Zogu I”, mbetën të vrarë Mentor Lufi, Gerti Goxhaj, Besnik Sulku, si dhe u arrestuan Salvatore Letizia, Markeljan dhe Klevis Doçi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/