Vrasësi shqiptar me pagesë, Aleks Burreli mund të jetë ekzekutuar nga porositësi i vrasjes së biznesmenit Fano Kalopsidiotis, që ndodhi para disa javësh. Këto janë dyshimet që ka ngritur policia e shtetit fqinj.
Burime konfidenciale nga Policia qipriote, kanë thënë për “TV One” se ka dyshime të forta që Burreli të jetë ekzekutuar, në mënyrë që të mos gjendet porositësi i masakrës së 23 qershor, ku humbën jetën katër vetë, mes tyre edhe vrasësi tjetër me pagesë, shqiptari Jani Vogli.
Policia vazhdon hetimet dhe kërkimet për gjetjen e shqiptarit Aleks Burreli. Pritet që informacione të vlefshme do të japë drejtuesi i mjetit që e shoqëroi atë në arratisjen pas masakrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 qershor në një restorant në Qipro, ku biznesmeni i njohur qipriot ishte duke darkuar me miqtë e tij. Në tavolinë ndodheshin edhe dy fëmijë, që fatmirësisht shpëtuan, por nga plumbat mbetën të vrarë biznesmeni dhe 3 të tjerë, përfshirë edhe shoqëruesin e Aleks Burrelit, Jani Vogli vrasja e të cilit mbeti disi e paqartë. Që prej masakrës së vrasjeve, Burreli është zhdukur pa asnjë gjurmë dhe është në kërkim nga policia.





