LSI nuk i ndahet akuzave ndaj kryeministrit Edi Rama. Kthim të vrasësit në vendin e krimit e ka quajtur kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, takimin e sotëm të kryeministrit në Ministrinë e Brendshme me efektivët e policisë.

“Vrasësi u kthye në vendin e krimit, pasi i zhveshi nga çdo përgjegjësi, sepse e drejton ai Policinë e Shtetit dhe jo ligji, pasi e mbolli vendin me drogë, i hapi hapësirat krimit deri në karrigen e qeverisë, zgjodhi të vinte në veprim edhe krimin e 25 qershorit. Pra i bëri dëmin më të madh policisë, dorëzim para krimeve dhe trafiqeve, mbështetes pasiv të tyre e të dorëzuar para krimit, pasi kemi të bëjmë me një narko shtet që drejtohet nga një narkotrafikant”, tha ai.

Petrit Vasili e ka sfiduar Kryeministrin Edi Rama për të zgjedhur ditën e mërkurë nëse do të jetë me krimin apo me drejtësinë.

Në një deklaratë për mediat, Vasili i referohet seancës parlamentare të së mërkurës, kur Parlamenti do të votojë për heqjen ose jo të imunitetit të Saimir Tahirit, për të cilin kërkohet arrestimi nga Prokuroria.

“Të mërkurën ky Kryeministër ka një provë të qartë, të vendoset me krimin apo të vendoset me drejtësinë”, tha kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili.