6 korrik 2015 – Sokol Mjacaj, vrasësi i dy turistëve çekë u tradhëtua nga telefoni celular që u kishte vjedhur viktimave.

Mjacaj ia kishte shitur telefonin një djali në lokalin e fshatit Prekal. Por, gjatë hetimeve policia e ka lokalizuar telefonin dhe ka marrë në pyetje të riun, i cili ka siguruar detaje për vrasësin.
Pasi u arrestua ditën e djeshme, në momentin e rrëfimit të krimit, Sokol Mjacaj ka treguar me gjakftohtësi deri në detaje se si i ka vrarë dy çekët. Nuk ka shfaqur pendesë, madje keqardhje që plani i tij për të grabitur makinën nuk u realizua.

Më poshtë rrëfimi i tij, i zbardhur nga gazeta ‘Panorama’:

Ju i keni vrarë dy turistët çekë?

Po, unë i vrava.

Pse i vrave?

Doja t’i grabisja, por më kundërshtuan.

Dhe ti i vrave?

Po.

Ishe në makinë me ta?

Nuk isha gjithë kohës me ta, kam hipur disa kilometër larg vendit të ngjarjes dhe kemi ecur deri në Prekal.

Ku hipe në makinë me turistët?

Në Lotaj.

Iu kërkove të të çonin diku?

Jo, kam hipur me forcë.

Si, me forcë?

Kur pashë që po bëheshin gati për të lëvizur makinën, i ndoqa dhe u drejtova armën. Hapa derën e pasme dhe u thashë të ecnin.

Po më pas?

Më pas i thashë që të vazhdonin rrugën. U kërkova të më jepnin paratë dhe sendet me vlerë, por ata bënin sikur nuk kuptonin.

Nuk e dije ti se ishin shtetas të huaj ata?

E dija që ishin të huaj, po nuk e dija se nga ishin.

Po si do të kuptonin ata kur ishin të huaj?

Mendova se do kuptonin ndonjë fjalë shqip.

Çfarë bëje gjatë kësaj kohe që ishe në makinë?

Unë kam pritur derisa hymë në zonë me pyll që t’i grabisja e mos të më shikonte njeri. U kërkoja të ndalonin makinën sa herë që shihja ndonjë kthesë të fshehtë, por ai djali nuk ndalonte. Më acaroi se  u kthye disa herë të merrte armën.

Si veprove ti pas kësaj?

Në fillim nuk doja t’i vrisja, doja vetëm t’i grabisja, të merrja dhe makinën dhe të ikja. Por ai djali vazhdoi me ato të vetat.

Si me të vetat?

Frenonte fort, donte të më përplaste. Pastaj deshi të më merrte armën.

Po vajza?

Vajza po qante gjithë rrugës. Bërtiste. Nuk e di çfarë thoshte se nuk kuptoja gjuhën, por kthehej ndonjëherë nga unë dhe e shihja se po qante.

Pastaj i vrave?

Po, sepse më kapi armën ai, shoferi. Atë qëllova të parin, dy herë pas koke. Pastaj qëllova dhe vajzën. Edhe atë pas koke. Makina iku vetë pastaj, sepse shoferi vdiq dhe u rrëzua.

Ti ishte në makinë kur u rrëzua?

Po, aty isha unë nuk kisha si të dilja.

Dhe ty s’të gjeti gjë sigurisht?

U vrava pak, por dola shpejt nga makina.

Pse qëllove prapë makinën pasi dole?

Isha me nerva. Nuk doli ashtu siç desha unë.

Po armën pse e le aty?

Pse ta merrja me vete? E dija që në një moment do më kapnit dhe nuk është se u kujdesa shumë për të fshehur gjurmët. Mendova vetëm të largohesha dhe të mos më gjente njeri aty.

Si ka mundësi që je kaq i ftohtë, e di që ke vrarë dy të pafajshëm?

(Nuk kthen përgjigje…)

Si u largove nga vendi i ngjarjes, me ndonjë makinë? Kush të ndihmoi?

Askush. Kam ecur në këmbë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/