*Prokuroria: Ja hasmëritë dhe atentatet mes dy fiseve të njohura në Shijak
24 orë pas arrestimit të tre personave si vrasës me pagesë në Manëz të Durrësit, policia i ka referuar prokurorisë konfliktet e ndodhura me pasoja të rënda, vrasje, plagosje dhe atentate të ndodhura personazheve të ndryshëm të dy fiseve të njohura në zonën Shijak –Manëz.
Gazmend Dervishi 38 vjeç, banues në Shkozet,dhe Bruno Shehu 31 vjeç, banues në Durrës, janë të skeduar nga policia si të dënuar për trafik droge në Itali, ndërsa i treti, Dritan Nikolli 38 vjeç, banues në Sukth, si ish-anëtar i bandës së Ilir Xhakjes, i dënuar për vrasje në vitin 1994, të një pjesëtari të fisit Çyrbja në Shijak. Edhe Nikolli rezulton i dënuar për trafik droge në shtetin italian, dhe pasi ka përfunduar dënimin ka jetuar në Shqipëri.
Në dosjen e policisë bëhet fjalë për dy fiset Kërtalla në Shijak, dhe Farruku në Manëz. Referuar dosjes së mbërritur në prokurorinë e rrethit Durrës, policia bën me dije se midis dy fiseve të njohura në zonë, vite më parë ka pasur konflikte, por asnjëherë asnjë palë nuk është akuzuar drejtpërsëdrejti për ngjarjet që ndodhnin në fisin tjetër, dhe për më tepër nuk ka pasur të shoqëruar nga fiset, për vrasjet që ndodhnin. Policia i ka lidhur ngjarjet e ndodhura, atentate, vrasje, plagosje në Durrës -Tiranë e Holandë, sipas një rrjedhe kronologjike. Sipas policisë, vrasësit e dyshuar me pagesë të arrestuar dy ditë më parë në Durrës, kanë lidhje me dy grupe me veprimtari të lartë kriminale në fushën e narkotikëve, por deri tani nuk kanë dhënë detaje se nga cili grup ishin kontaktuar dhe kush ishte shënjestra e tyre. Dosja i është dorëzuar prokurores Alma Felaj, ndërsa paralelisht edhe Interpoli u ka kërkuar të dhëna homologëve në Itali, Spanjë dhe Holandë. Njëkohësisht, arrestimi i tre vrasësve me pagesë, ka hapur dosjet e vjetra të krimeve pa autorë në Durrës, të ndodhura së paku në 5 vitet e fundit. Pjesëtarë të fisit Frroku në Manëz janë skeduar më herët nga drejtësia shqiptare, dhe ndaj tyre janë bërë disa atentate. Në mbyllje të 2012-s, familjes Frroku i është sekuestruar pasuri rreth 1 milionë euro llogari bankare, rreth 600 milionë lekë dhe 50 hektarë tokë në Gjirin e Lalëzit, me pretendimin se ishin gjeneruar nga trafiku i drogës.
Hetimet:
Hetuesit bënë me dije se parandalimi i krimit të fundit vjen pas një sërë krimesh të ndodhura në luftën për territor në trekëndëshin Spanjë-Itali-Holandë, ku operojnë dy grupe kriminale nga zona e Shijakut, konkurrente me njëra-tjetrën. “Kemi hapur një dosje të vjetër, dhe na rezulton se midis dy bandave konkurrente gjatë viteve me aktivitet kryesisht jashtë vendit, kanë ndodhur shumë vrasje dhe tentativa vrasjesh. Më e fundit midis tyre ka ndodhur në Holandë ku janë plagosur dy persona të njërës prej bandave. Dyshojmë që për shenjë hakmarrjeje është porositur vrasja e dy ditëve më parë, nga tre të rinjtë e arrestuar si të paguar. Në Shqipëri këto dy banda takoheshin vetëm për larje hesapesh, por janë dy prej bandave më të rrezikshme që operojnë në trafikun e drogave të forta”, pohuan burime zyrtare nga grupi hetimor.
Shtetasit e arrestuar janë eksponentë me rrezikshmëri të lartë kriminale, me precedentë penalë të mëparshëm, në fushën e veprave penale kundër personit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Në thelb është një konflikt midis dy grupeve kriminale për prishje të pazareve në fushën e lëndëve narkotike dhe lidhet më një tentative vrasjeje midis tyre.
Burime policore bëjnë të ditur se aktiviteti i këtyre dy grupeve shtrihet në Itali, Spanjë e Holandë, duke prodhuar dhe një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, si vrasje, tentativë vrasje apo plagosje.
Më konkretisht, në korrik të vitit 2013 vrasje në zonën e Shijakut;
Më 26 gusht 2013 në qendër të Shijakut, në një atentat mbeti i vrarë Elvin Kërtalla 37 vjeç, dhe u plagosën dy shokë të tij. Në atentat morën pjesë tre persona që derdhën breshëri kallashnikovi në drejtim të Elvin Kërtallës, baba i dy fëmijëve të mitur dhe në pritje të fëmijës së tretë. I plagosur mbeti edhe 31-vjeçari Dorjan Zotaj, lindur në Shijak e banor në Tiranë. Policia bëri me dije se është duke punuar për kapjen e tre atentatorëve, ndërsa hetimet janë shtrirë në rrethin shoqëror të tyre. Krimi ka ndodhur rreth orës 23:00 në qendër të Shijakut përballë godinës së Albtelekomit. Nga mënyra e ekzekutimit të krimit, policia bën me dije se mund të kemi të bëjmë me larje hesapesh.
Ngjarja:
Elvin Kërtalla pronar i një pike eurollotoje në qendër të Shijakut dhe Dorjan Zotaj, kanë dalë nga një lokal, sapo kanë përfunduar së pari ndeshjen midis dy ekipeve angleze Mancester Junaited dhe Chelsea-t. Dy të rinjtë u janë drejtuar automjeteve të parkuara në lulishte, dhe prej aty, ata janë qëlluar me një breshëri plumbash që janë derdhur nga një automjet pa targa, i cili është larguar në errësirën e natës.
Sipas burimeve policore, atentatorët me një automjet me shpejtësi, kanë qëlluar me breshëri në drejtim të dy personave të cilët kanë mbetur të plagosur rëndë. Më pas janë larguar me shpejtësi, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tyre e duke u ngritur postblloqe të shumta në rrugët nacionale që lidhin Shijakun dhe rrugët rurale që shkojnë në komuna. Në vendngjarje policia ka mbledhur një numër të madh gëzhojash që sipas ekspertëve janë shkrepur nga tre armë të ndryshme tip pistoletë dhe kallashnikov. Sipas policisë, viktima nuk ka qenë me precedentë penalë, ai njihej si një familjar i rregullt, dhe punonte për familjen e tij
Korrik 2014, tentativë vrasje në zonën e Shijakut;
40-vjeçari Roland Farruku i njohur në botën e Narkotrafikut në Itali, Spanjë e Holandë, dhe person me precedentë penalë edhe në Shqipëri, i ka shpëtuar një atentati me kallashnikov mëngjesin e së martës në rrugën Durrës – Manzë, në vendin e quajtur “Kthesa e Maminasit”. Farruku është qëlluar me breshëri automatiku, rreth orës 02:00 të mëngjesit, por vetëm dy plumba e kanë shënjestruar në shpatull dhe në ije, duke mbetur i plagosur dhe jashtë rrezikut për jetën. Policia bëri me dije se babai i tre fëmijëve Roland Farruku, po kthehej me automjet në banesën e tij kur është qëlluar nga një tjetër automjet në lëvizje e sipër, nga një person i paidentifikuar, duke e lënë të plagosur. Sipas mjekeve të spitalit Durrës, Farruku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Korrik 2015, tentativë vrasjeje në Tiranë;
Më 17 korrik në “Don Bosko”, mbeti e plagosur rastësisht 29-vjeçarja Rezarta Laknuri, e cila po pinte kafe me bashkëshortin dhe foshnjën e tyre në një lokal në këtë zonë. Hetimet kanë zbuluar se objekt i sulmit me armë ka qenë Kreshnik Budlla dhe dy shoqëruesit e tij, kunati Rinald Budlla dhe shoku i tij Alfred Levani, të tre të ndaluar nga policia menjëherë pas ngjarjes.
Nga hetimet disaditore ka rezultuar se prishja e pazareve të drogës në Itali dhe Spanjë, dyshohet se ka qenë shkaku i përplasjes me armë në “Don Bosko” mesditën e së premtes. Prokuroria dyshon se Kreshnik Farruku, i cili ka ndryshuar mbiemrin, duke marrë atë të bashkëshortes Budlla, ka pasur konflikte për prishjen e pazareve të drogës me personat që gjuajtën me armë. Sipas akuzës, Farruku kishte pak ditë që ishte kthyer nga Spanja, ku kishte vuajtur disa vite burg për akuzën e “trafikut të drogës”. Po për të njëjtën akuzë, policia thotë se Farruku është dënuar edhe në Itali në vitin 2007, dënim të cilin e ka përfunduar.
Dy personat që gjuajtën me armë në drejtim të Kreshnik Farrukut (Budllës) dhe që rastësisht plagosën Rezarta Laknurin janë ende të lirë dhe nuk dihet nëse policia i ka identifikuar apo jo. Mësohet se dy të rinjtë, të cilët u larguan me shpejtësi në rrugicat e lagjes menjëherë pas të shtënave, nuk duken qartë në pamjet filmike që policia sekuestroi nga kamerat e sigurisë. Ata shfaqen me kapela në kokë, me bluza me mëngë të shkurtra dhe pantallona treçerekëshe. Fillimisht, referuar kamerave të sigurisë, dy personat, ende të paidentifikuar, kanë pasur debate me Kreshnik Farrukun, ku ka ndërhyrë edhe kunati i tij Rinald Budlla. Pas debateve me tone të larta, dy personat janë larguar për t’u kthyer vetëm pak minuta më pas me pistoleta në duar, duke qëlluar në drejtim të tavolinës ku ndodhej Kreshnik Farruku, i cili i është përgjigjur sulmit me armë, pasi personat janë larguar.
Hetuesit thanë se mes tyre janë shkëmbyer 12 plumba, me tre armë të ndryshme, ku dhe janë sekuestruar 12 gëzhojat e qitura në verandën e lokalit dhe në rrugën pranë tij. Kreshnik Budlla, pavarësisht se kishte mbaruar sulmi, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy personave, duke konsumuar kështu veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë”. Ai ka qëlluar me armë në momentin kur nuk ka pasur sulm nga ana e dy shtetasve. Mbi të rëndon edhe akuza e “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, pasi ka përdorur armë luftarake, prania e së cilës provohet nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes si edhe e “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, pasi në çantë i është gjetur një sasi kokaine. Ndërsa Rinald Budlla dhe Alfred Levani dyshohet se kanë kryer veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”. Kjo nuk është hera e parë që ndaj familjes Farruku është bërë atentat për shkak të konflikteve për trafikimin e drogës në Spanjë dhe në Itali. Në korrik të 2014-s, i vëllai i tij Roland Farrukut u qëllua me 19 plumba në kthesën e Maminasit në Durrës, ku fatmirësisht shpëtoi me një plagë të lehtë në shpatull dhe një në kofshë.
Njësia Task-Forcë e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi të kryer për rreth tre muaj, rreth një vepre të re penale të “Mashtrimit”, ka arritur në përfundimin se Reshit dhe Roland Farruku, kanë blerë një pronë me vlerë 920.000 euro në zonën e Gjirit të Lalzit, si edhe kanë një llogari bankare në shumën 6.271.000 lekë, të cilat dyshohet se janë të prejardhura nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasit Budlla. Këto pasuri tashmë janë nën sekuestro preventive, me vendim të gjykatës. “Hetuam familjarët dhe rezultoi se të ardhurat e tyre familjare nuk e mbulonin një shpenzim të tillë. Vënia në sekuestro e këtyre pronave erdhi pasi është produkt i veprimtarisë kriminale të Kreshnik Bodllit. Vumë nën sekuestro edhe një shumë prej 60 milionë lekësh në bankë. Në fillim të vitit, dosja do të shkojë në gjykatë”, tha aso kohe shefi i njësisë Task-Forcë në prokurorinë e Durrësit, Madrid Kullolli.
K.H.





