Policia ka mundur që të identifikojë një person që ka qenë pjesëmarrës në vrasjen në Laç.

Ndërkohë, policia bën të ditur se autori i dyshuar është nisur me automjet drejt Elbasanit. Për këtë arsye në hyrje dhe daljet e Elbasanit janë duke u ngritur postblloqe.

Ditën e djeshme, u ekzekutua me breshëri plumbash biznesmeni Rakip Roli, i njohur edhe me identitetin Pilot Rroli. Si autorë të dyshuar të vrasjes janë shpallur në kërkim shtetasi S.L dhe djali i tij për vrasjen e Rakip Rolit.

Dyshohet se shkak për vrasjen janë bërë konfliktet që autorët kanë pasur me djemtë e viktimës. Dy djemtë e viktimës Emiljan dhe Sokol Roli janë pronarë të një pallati në zonën e Shëngjinit.

Kujtojmë se njëri prej djemve u aksidentua gjatë kohës kur ishte duke shkuar në vendin e vrasjes së babait të tij. Mjeti që ai drejtonte humbi kontrollin dhe u përplas me një shtyllë, ndërkohë që fatmirësisht është gjashtë rrezikut për jetën.

Rakip Roli dhe familja e tij janë persona të njohur në zonën e Laçit, dhe kanë disa biznese, përfshirë mjetet e transportit të rëndë, si dhe një pikë materialesh ndërtimi.

Emri i tij nuk është i panjohur as për policinë, pasi biznesmeni është vënë në pranga në vitin 2011, si autor i rrahjes me pasojë plagosjen e rëndë të një 22-vjeçari. Po ashtu djemtë e viktimës kanë qenë të skeduar nga policia në vitin 2017, për trafik droge.