Pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, qytetarët kanë nisur një marshim këtë të enjte.

Marshimi ka nisur nga shkolla 9-vjeçare “Fan Noli”, pranë së cilës Martin Cani u qëllua me thikë për vdekje nga një bashkëmoshatar i tij, drejt Ministrisë së Arsimit.

Qytetarët apelojnë që të merren masa për të rritur sigurinë e fëmijëve të tyre nëpër shkolla.

Marshimit i janë bashkuar qytetarë, aktivistë, prindër dhe shokët e shoqet e klasës të të ndjerit Martin Cani.

Tronditja është shumë e fortë nga ky rast.

“Nuk vriten fëmijët, mbrojtje më shumë për ta. Të zbatohen ligjet e shtetit me përpikmëri. Ngjarja është shumë shokuese, jam pa fjalë”, u shpreh një qytetare.

Të tjerë qytetarë venë theksin edhe te roli i familjes.

“Mesazhi jonë si ish-nxënës i “Fan Nolit” dhe banor i lagjes aty jemi të tronditur, por do i kërkojmë të gjithë prindërve që të jenë më të përgjegjshëm për edukimin e fëmijëve dhe njëkohësisht përgjegjësia kryesore është edhe e instancave që qeverisin shkollat. Ministria e Arsimit duhet të jetë më e përgjegjshme për çka ka marrë përsipër të drejtojë. Dinamika tregon se kanë pasur dijeni për çdo lloj gjëje dhe ngjarje kur kanë ndodhur. Kjo nuk na shfajëson edhe ne prindërit”, tha një qytetar.  

Kujtojmë se ngjarja në fjalë ka tronditur opinionin publik. Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se do të nisë një diskutim për të shtuar filtrat ose mbyllur TikTok-un dhe Snapchat.