TIRANE, 29 mars 2013 – Policia e Tiranës ka vënë në pranga sot, dy autorët e vrasjes së 17-vjeçarit Gjergji Prenga, i cili mësohet se është djali i një oficeri të Gardës së Republikës, ndërsa ka shpallur në kërkim edhe 2 bashkëpunëtorë të tyre.
Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar dy 18-vjeçarët Besar Seci 18 vjeç dhe Skerdilajd Hyka 18 vjeç, të dy të lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë të cilët dyshohen të jenë autorët e vrasjes së 17-vjeçarit Gjergji Prenga.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë në zonën e quajtur “Kodra e Priftit”.
Si pasojë e një grindjeje mes disa të rinjve ka gjetur vdekjen, pas plagëve të marra nga sende të forta 17- vjeçari Gjergj Prenga.
Nga sherri mësohet se kanë mbetur edhe një i ri i plagosur, Joland Rroku. Sipas policisë, 17 vjeçari është vrarë me leva dhe lopata.
Policia bën të ditur se ngjarja ndodhi afër një diskoteke, ku dy adoleshentët janë sulmuar nga dy të rinj të tjerë, të cilët mbanin hekura nëpër duar.
Ngjarja e rëndë është regjistruar në një lavazh, ku punonte edhe viktima. Pas konfliktit me viktimën dy persona kanë shkuar në shtëpi, janë pajisur me levë e sende të tjera të forta dhe kanë mbërritur në vendin e sherrit, duke goditur për vdekje 17-vjecarin Prenga, e duke plagosur Joland Rrokun.
I riu i plagosur mësohet se ka marrë dëmtime të rënda dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak.
KONFLIKTI
Vrasja e adoleshentit Gjergj Prenga dhe plagosja e Joland Rrokut ishin vazhdim i një konflikti banal që kishte ndodhur dje disa orë para ngjarjes, disa metra larg vendit të krimit. Nisur nga deklarimet e njërit prej të ndaluarve nga Policia, F. Ndoja, sherri mes mikut të tij, që është në kërkim dhe emri nuk bëhet i ditur, me viktimën kishte nisur në orët e paradites, pak metra më larg nga vendi ku ndodhi ngjarja. Viktima, me një prej autorëve është shkëmbyer në rrugë dhe i dyshuari i është drejtuar viktimës me pyetjen “Pse më sheh?”. Pas kësaj, të dy të rinjtë kanë shkëmbyer fyerje e kërcënime, por pa u konfrontuar fizikisht. I dyshuari ka ndërprerë debatin, duke i thënë viktimës se këtë muhabet do ta sqaronin më vonë.
Konflikti i paradites është ndërprerë me aq dhe të dy djemtë janë larguar. Prenga, i cili punonte herë pas here me një makinë taksi, është takuar me shokun e tij Rroku te lavazhi ku ai punonte, pak metra larg vendngjarjes dhe mesa duket i ka treguar për debatin, pasi në momentin e ngjarjes ata ishin bashkë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe protagonisti kryesor i këtij konflikti, i cili ka mbledhur 4 shokët e tij, duke u thënë që nga darka do të shkonin për të sqaruar një debat.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





