Pas atentatit të sotëm në Shkodër ku mbetën të vrarë dy vëllezër, ministri Sandër Lleshaj ka njoftuar nga qyteti verior se është shkarkuar drejtori i Policisë, Vehbi Bushati dhe në vend të tij është vendosur Niko Brahimaj.

Ai tha se ishte sot në Shkodër për këtë arsye, por edhe për ngjarjen e rëndë ku humbën jetën dy vëllezërit Bilali, ngjarje kjo e ndodhur paraditen e sotme.

“Për t’i dhënë një impuls të ri kemi vënë në Policinë e Shkodrës Niko Brahimaj në vend të Vehbi Bushatit. Erdha në Shkodër për këtë arsye por edhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur. Është vrasje për larje hesapesh në Shkodër. Forcat e policisë po bëjnë maksimumin për ta zbardhur ngjarjen. Qytetarët nuk kane përse të mos ndjehen të sigurtë. Ne jemi në proces hetimi për këtë ngjarje por edhe ngjarje të tjera. Shpresoj qe sa më shpejt të kemi rezultate”, tha ministri.