Mediat greke shkruajnë se dy të rinj, një shqiptar dhe një grek dyshohet se janë autorët e vrasjes së studentes greke, Eleni Tofaloudi 21 vjeçe, ngjarje e ndodhur më 28 nëntor.

Sipas burimeve policore, dy të akuzuarit, 19-vjeçari shqiptar dhe 21-vjeçari grek i hedhin fajin njëri tjetrit, ndërsa avokatët nuk u lejuan të marrin pjesë në seancën e djeshme pyetësore.

Mësohet se ata e kishin marrë studenten në shtëpi më 27 nëntor duke i kërkuar asaj akte seksuale, të cilat vajza i kishte refuzuar, çka ka bërë që dy të rinjtë, të ushtrojnë dhunë ndaj saj.

Ata dyshohet se e kanë goditur atë me sende të forta në kokë, e më pas për ta bërë ngjarjen aksidentale ata e kanë hedhur në det, ku u gjet thuajse e zhveshur. Mjekët ligjorë theksuan se viktima në fakt kishte humbur ndjenjat dhe vdekja u shkaktua nga mbytja në det.

Hetimet zbuluan gjurmët e ADN-së të studentëve si në makinë, ashtu edhe në shtëpinë e njërit prej dy autorëve. Në duart e autoriteteve helene ekziston edhe një listë me thirrjet e fundit telefonike, që do të hedhin më shumë dritë për zbardhjen e rastit.