TIRANE, 24 shkurt 2013– Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person në lidhje me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e të shtunës në autobusin e linjës Qendër-Uzina e autotraktorëve ku një 22 vjecar gjeti vdekjen pasi u godit me thikë në zemër.

Shtetasi Ilir Drita është vënë në pranga mesnatën e të shtunës pas një operacioni të policisë në zonën ku ndodhi krimi pranë ish-markatës së vjetër në Tiranë.

Policia tha se i dyshuari Ilir Drita, rreth 40 vjec, ishte në gjendje të dehur e të rënduar emocionale në momentin e arrestimit.

Në kërkim është shpallur edhe një 25-vjecar tjetër që dyshohet se ka qëlluar me thikë në zemër viktimën Sajmir Cerpja, 22-vjec.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti në autobus në Tiranë.

 

Sipas dëshimtarëve në vendngjarje, dy persona kanë patur një mosmarrëveshje në autobus, që ka degjeneruar më pas në dhunë. 

Njëri prej të rinjve ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar disa herë personin tjetër të përfshirë në sherr.

Autori ka ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes duke vrapuar në errësirë mes pallateve të shumta të zonës së "Ali Demit". Ngjarja ka shkaktuar panik tek pasagjerët, të cilët kanë dalë të tmerruar nga autobusi.

Po sipas të njejtave burime, autori ka qënë duke bërtitur në autobus, ndërsa dyshohet se ishte i dehur. Në këto momente viktima Saimir Çedja i ka kërkuar të mos bërtasë, e aty ka nisur edhe sherri mes tyre.

Fillimisht viktima e ka goditur autorin me çadër e më pas 35-vjecari ka përdorur thikën, duke e qëlluar 22-vjecarin në zemër.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan ulërima e më pas shoferi i autobusit ka hapur dyert e njerëzit kanë vërshuar jashtë në panik.

Policia e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje nisi kryerjen e veprimeve hetimore. Po kështu, ajo mori në pyetje mjaft dëshmitarë të cilët ishin pasagjerë në autobusin e krimit.

Bashkëpunëtori Ilir Drita u arrestua 2 orë pas ngjarjes.