Armando Bengaj, vëllai i 23-vjeçares Sabrina Bengaj që mbeti e vrarë nga ish-bashkëshorti, ka folur për mediat pak minuta pas ngjarjes ku ka zbardhur detaje mbi krimin e rëndë.

Ai ka treguar se e motra sapo ishte kthyer nga puna dhe ishte duke ngrënë bukë kur është qëlluar për vdekje nga Elton Metaj, ndërsa akuzon gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që nuk i dhanë dënimin e merituar 31-vjeçarit, pasi më herët ai ishte akuzuar për dhunë dhe armë mbajtje pa leje.

“Fajin e kanë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që nxjerrin tipa të tillë kriminelë që sot bënë hatanë e madhe. Mua më tha nusja, e cila është shtatzënë, biles më kishte kërkuar edhe mua për të më vrarë. Nuk kam pse të ndihem i frikësuar nga ai lloj njeriu sepse ai ishte një frikacak që të vriste mbrapa krahëve. Trimi del përballë, jo nga mbrapa. Nuk jam në gjendje të flas më. Jam i tronditur. Thjesht goditi aty jashtë sa erdhi motra, hëngri bukë dhe kaq. Ça frike do kem më unë. Është me armë ai? Le të vijë. Motra ndërroi jetë në vend, plumbi e kishte kapur në mushkëri”, tha ai.