Kavajë, 23 korrik 2014 – Mbrëmjen e së martës, në hyrje të Kavajës, u ekzekutua një 27-vjeçar. Sipas policisë, Andi Peqini, u qëllua me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar, rreth orës 20.45, ndërsa po lëvizte me automjetin e tij tip Peuguot 407.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në afërsi të një karburanti në hyrje të Kavajës, në prani të shumë dëshmitarëve, që panë momentin kur nga një automjet tip BMW X5 u qëllua me breshëri ndaj të riut 27 vjeçar.  

Mësohet se i riu, kthehej nga plazhi në kohën që është qëlluar dhe pas tij në një tjetër automjet ndodhej edhe djali i xhaxhait, i cili ka parë gjithë skenën e vrasjes. Ky i fundit është shoqëruar në polici, për të ndihmuar në zbardhjen e autorëve të krimit.

Dëshmitarët tregojnë se gjithçka ka ndodhur në pak sekonda. Persona të paidentifikuar që lëviznin me një automjet targa italiane qëlluan me breshëri në drejtim të 27-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend.

Edhe pse fillimisht u dyshua për një konflikt të çastit mes viktimës dhe autorëve, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes duke u përqendruar tek veprimatria e të riut kavajas gjatë viteve të fundit.

Mësohet se Andi Peqini është person i skeduar nga policia për vepra të ndryshme kriminale. Gjatë viteve të fundit viktima jetonte mes Italisë dhe Shqipërisë, ku dyshohet të jetë përfshirë në grupe kriminale në shtetin italian.

Pista kryesore sipas policisë është ajo e vrasjes për hakmarrje. 27-vjeçari dyshohet të jetë përfshirë në një rrjet të trafikimit të drogës në Itali. Andi Peqini, ishte kthyer vetëm para një muaji nga Italia. Me sa duket pazaret e shitjes së drogës janë bërë shkak për lindjen e konflikteve që u pasua me eliminimin fizik të Peqinit.

Për të identifikuar autorët, policia ka sekuestruar pamjet e karburantit. Ndërkohë nga dëshmia e kushëririt të viktimës, autorët kanë qëlluar me armë nga brenda makinës.

Pista e hakmarrjes është pista kryesore ku janë përqendruar hetuesit. Ndërkohë po hetohen edhe konfliktet që 27 vjeçari mund të ketë pasur në vendin tonë. Pak kohë më parë, Andi Peqini ishte ndarë nga e fejuara e tij. Për të mësuar më tepër rreth dinamikës së krimit, policia ka shoqëruar në ambjentet e saj mbi dhjetë persona, mes tyre familjarë, dëshmitarë në vendin e ngjarjes dhe shokë e të njohur të viktimës.    

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/