8 qershor 2015 – Deri më tani, në prangat e policisë ka rënë vetëm Gurali Kora, i cili dyshohet si njëri prej 4 personave të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Thumanë që ndodhi tri ditë më parë.

Këtë Gurali Kora e ka pohuar edhe vetë. Në dëshminë e tij tentoi të shfajësonte djemtë e tij duke pohuar se e ka kryer ai vrasjen e 3-fishtë.  

“Kam qëlluar me automatik dhe pistoletë ndaj pjesëtarëve të familjes Ceku. Djemtë e mi nuk kanë qenë në vendngjarje”, mësohet të ketë thënë Kora sot para hetuesve, në ambientet e policisë së Fushë-Krujës.

Por, nisur nga dinamika e ngjarjes, hetuesit e hedhin poshtë versionin e Gurali Korës se, është ai autori i vetëm i ngjarjes.

Sot policia publikoi fotot e tre vëllezërve Besnik, Daniel e Pëllumb Kora, duke u përqendruar te këta dy të fundit, që nga hetimet e para rezulton se kanë qenë ata që kanë hapur zjarr mbi 4 anëtarët e familjes Ceku duke lënë tre të vdekur dhe një të plagosur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/