Natën e vrasjes së Emiljano Boçit, mbeti i plagosur edhe shoku i tij Melvi Disha, i cili ndodhej në makinë bashkë me 32-vjeçarin, dhe një vajzë. Kjo e fundit, e cila përflitet se ishte e dashura e Boçit, i shpëtoi për mrekulli atentatit të ndodhur në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në kryeqytet, ndërsa Melvi Disha mori një plumb në shpatull.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për "BalkanWeb" se, gjatë së martës, Melvi Disha është marrë në pyetje nga policia në ambientet e spitalit të Traumës aty ku dhe po merr mjekim.
27-vjeçari ka thënë para uniformave blu se nuk ka mundur të shquajë personin që ka qëlluar, pasi është detyruar të shtrihet në sedilje për të mbrojtur veten.
"Pasi dolëm nga lokali u drejtuam drejt makinës dhe nuk pamë asgjë te pazakontë. U ula te sedilja e pasme pas shoferit. Sapo u futëm në makinë na qëlluan. Kur më preku plumbi jam shtrirë në sedile dhe kam mundur të lëviz vetëm disa minuta pasi përfunduan të shtënat. Nuk e kam idenë kush mund të jetë autori", ka dëshmuar ai në polici.
As vajza e ndodhur në makinë në momentin e ngjarjes nuk ka mundur të japë shumë detaje. Në polici vajza ka dëshmuar se nuk ka parë shumë gjëra, por ka mundur të vërejë një person që u afrua nga dera e shoferit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij.
Ka qenë pikërisht vajza ajo e cila ka njoftuar policinë, e cila ka dëshmuar se pas ngjarjes, autorët janë larguar përmes pallateve të lagjes "Shefqet Musaraj".





