10 mars 2015 – Kostandin Xhuvani, autori i vrasjes së 4-fishtë është dënuar me 35 vjet burg.

Ky është dënimi që Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur për Xhuvanin, autori i masakrës me katër viktima në lokalin e natës “Ante Grand” në rrugën e Elbasanit në Tiranë, me 4 nëntor të vitit të kaluar.

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për deklarimin e fajshëm të të pandehurit Xhuvani dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar i Xhuvanit shkon në 35 vjet heqje lire.

Mësohet se Kostandin Xhuvani do të vuajë dënimin në një nga burgjet e sigurisë së lartë në vend, ndërsa nuk lejohet lirimi i tij me kusht. Pra, do ti vuajë të plota 35 vjet heqje lirie.

 

Xhuvani akuzohet si autor i vrasjes së shtetasve Edison Jaho, Enea Xhaji, Arbër Demiraj si dhe shtetasit italian Xhanpaolo Azzolo, i cili ndërroi jetë në spital.

 

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/