Elbasan, 12 gusht 2014 –  Kishim më shumë se dy vjet që nuk e kishim parë nipin me sy. Familja e ish-nuses së djalit tim nuk na lejuan që të merrnin pjesë as në ceremoninë e varrimit. Kjo është e tmerrshme! Pas divorcit, Nexhmija ishte betuar që nuk do e shihnim më me sy Kleomarin. Kjo që na ndodhi ne, mos i ndodhtë asnjë familje tjetër!". Kështu është shprehur Hamide Murati, gjyshja e 4-vjeçarit që u vra me thikë nga nëna e tij, Nexhmije Dushku në orët e para të mëngjesit të së dielës për "Gazeta Shqiptare".

Hamidja tregon se djali i saj, Altini ishte martuar me dashuri me ish-gruan e tij, ndërsa rrëfen edhe mosmarrëveshjet mes çiftit dhe dy familjeve në krushqi me njëra-tjetrën. 

Sipas saj, konfliktet nisën 6-7 muaj pas martesës, ndërkohë që në fejesë marrëdhëniet kishin qenë shumë të mira si mes çiftit ashtu edhe dy krushqive.

Pasi lindën fëmijën, mosmarrëveshjet u shtuan më shumë dhe kështu në 6 korrik të 2011 Altini dhe Nexhmija u ndanë. Kujdestaria e fëmijës iu la nënës së tij, ndërsa babai kishte të drejtën e takimit të fëmijës dy herë në muaj. 

Hamidja rrëfen se vendimi i gjyqit nuk u zbatua, pasi nusja bashkë me prindërit e saj e kundërshtonin atë.

“U arrit një marrëveshje jashtë vendimit të gjykatës që ne ta takonim fëmijën 3-orë në javë, marrëveshje që zgjati rreth dy muaj. 13 maji i vitit 2012 ka qenë dita e fundit që ne e kemi takuar fëmijën”,- tregon gjyshja e të vogëlushit që u vra nga nëna e tij.

Në të njëjtën kohë ajo tregon “më 20 maj të vitit të kaluar, im bir shkoi të takonte djalin e tij, por ata e sulmuan me gurë. Sa u përket detyrimeve që djali im kishte ndaj fëmijës, ne i penguam për aq kohë sa nuk po respektohej vendimi i gjykatës. Pasi u arrit ajo marrëveshja e vogël, unë vajta i derdha lekët tek ata për 6 muaj. Më pas pagova edhe dy muaj të tjerë (prill-maj të 2012). Gjithashtu, përveç atyre kam depozituar edhe në llogarinë e përmbaruesit 300 mijë lekë të vjetra me qëllim që t'i kishin si garanci që kur të bëhej ekzekutimi i vendimit, të merrnin lekët. Këto lekë ndodhen sot në llogarinë e përmbaruesit. Një vit pas divorcit, djali iku në Londër ku është edhe djali im i madh. Është larguar nga shtëpia shumë i vrarë e i mërzitur saqë kur arriti atje, djali tjetër e ka mbajtur 1 muaj në trajtim që të merrte veten. Pasi iku djali, kërkuam që nipin ta takonim ne gjyshërit”.

Ajo rrëfen se së bashku me të shoqin dhe vajzën nuk ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të vogëlushit, ndërkohë që njerëzit e familjes së tyre kanë shkuar.

Hamidja kërkon që konflikti mes dy familjeve të mos shkojë më tej, pasi sipas saj, familja e ish-nuses së tyre e akuzon atë për ngjarjen.  

“Unë kam merak, pasi ata më akuzojnë për ngjarjen. Kam qenë unë që kam kërkuar nga zyrat e Përmbarimit të drejtat që na takonin. Ndonëse çdo gjë e kam kërkuar në bazë të rregullave, në bazë të ligjit”,-thotë ajo.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/