Detaje të tjera janë zbardhur nga policia e Vlorës mbi ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, kur u ekzekutua 58-vjeçari Renato Hoxhaj.

Një prej kamerave të sigurisë ka arritur të filmojë autorin e kamufluar me kapelë dhe mbuluar me shall për të mos zbuluar fytyrën. Nga kamera, shihet se autori ka ardhur nga kodra pas banesës së 58-vjeçarit. Sipas informacioneve policore, në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja të shtëna nga një armë tip pistoletë 9 mm. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup.

Kamera e sigurisë ka filmuar autorin, i cili është larguar po nga e njëjta rrugë pranë kodrës së Kuzum Babasë. Grupi hetimor po mbledh kamerat edhe në zonën përreth me qëllim për të mbledhur të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorit. Policia deri më tani, ka shoqëruar 8 persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë dhënë deri më tani detaje që mund të ndihmojnë grupin hetimor për ngjarjen.

Bashkëjetuesja e viktimës është shprehur para grupit hetimor se nuk ka dijeni që 58-vjeçari të ketë pasur konflikt. Ajo ka theksuar se ka dëgjuar të shtënat, por duke menduar se ishin fishekzjarre.