DURRES 16 shtator 2013 – Një ditë pas vrasjes makabre të 60-vjeçares Fatmira Dede, hetimet kanë marrë një kthesë të fortë, duke u gjendur në një tunel pa dritë. Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës ua ka dorëzuar dosjen për vrasjen e Fatmira Dedes, inspektorëve të sektorit të Parandalimit të Ngjarjeve me Armë e Dhunë. Pra tashmë, vrasja hetohet për motive grabitjeje. Krimet e Rënda e kanë kaluar çështjen tek Grabitjet, me arsyetimin se sendet personale të 60-vjeçares mungonin. Por ditën e vrasjes, inspektorët e policisë ndërsa kanë kryer të gjitha veprimet hetimore në vendngjarje, deklaruan se përjashtohej pista e grabitjes pasi sendet personale (çanta, telefoni, bizhuteri e para) gjendeshin në makinën e saj. Blutë e Durrësit shoqëruan rreth 40 persona në komisariat, të cilët janë pyetur për ngjarjen apo për jetën e viktimës, por asnjë prej tyre nuk ka dhënë dëshmi të vlefshme, që mund të ndihmonin në zbardhjen e vrasjes. Qorrsokaku ku janë gjendur efektivët e Krimeve të Rënda ka bërë që ata ta klasifikojnë krimin si grabitje. Me sa duket ashtu si vrasja e të birit, Ervis Dedes një vit më parë, edhe masakrimi i 60-vjeçares është i destinuar të mbetet pa autor.
HETIMET
Inspektorët e Krimeve në drejtimin e prokurorit Ilir Turja kanë punuar për 24 orë me radhë për të vënë në shina një pistë të vetme për vrasjen e nënës së Ervis Dedes, por deri tani nuk ka asnjë të re në identifikimin e autorit. Të gjithë dëshmitarët nuk kanë dhënë asnjë të dhënë të vlefshme. Sipas hetuesve të policisë dhe në mungesë të gjurmëve të autorit, apo të dhënave për të, krimi është klasifikuar si grabitje me dhunë e armë me pasojë vdekjen. Inspektorët kanë thirrur dëshmitar edhe një person, i cili është ortak në biznesin e një karburanti me djalin e saj të vrarë, por ortaku figuron i larguar drejt Italisë 5 ditë para ngjarjes. Drejt kompanisë celulare është dërguar kërkesa për zbardhjen e tabulateve të viktimës. Do të duhen 20 ditë të vijnë të dhënat, por pak shpresa ka që gruan ta ketë marrë në celular dikush, e aq më pak vrasësi. Përcjellja e dosjes në Drejtorinë e Parandalimit të Ngjarjeve me Armë e Dhunë ka përjashtuar pistat e hakmarrjes dhe të konflikteve që gruaja kishte për shkak të trashëgimisë që i kishte lënë i biri në Durrës. "Hetimet gjenden në një tunel pa dritë, pavarësisht se janë shoqëruar mbi 40 persona, është rast i ngjashëm si i basketbollistit 25-vjeçar, Juxhin Guza, i vrarë më 13 shtator 2011. E njëjta ngjarje është përsëritur përpikmërisht si para dy vjetësh dhe ka mbetur e pazbardhur", pohoi një burim zyrtar në Policinë e Durrësit.
EKSPERTIZA MJEKO-LIGJORE
Trupi i 60-vjeçares Fatmira Dede iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore. Ekspertët kanë dalë në përfundimin se vdekja ka ardhur si pasojë e dëmtimit të venës kryesore të gjakut në qafë. Në trupin e gruas janë konstatuar shenja dhune, me shkelma dhe me grushte. Autori e ka qëlluar me shkelma dhe e ka rrëzuar përtokë. I ka vënë shkelmin në fyt, ku u konstatua një hematomë dhe më pas i ka ngulur një thikë në formë spirale, në venën kryesore në qafë. Kjo është vena që furnizon trurin me gjak. Plaga hyrëse është deri në 10 cm thellësi, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme si pasojë e gjakderdhjes. Plaga ka qënë e freskët, vrasja mund të ketë ndodhur 1 deri në 2 orë para momentit kur u konstatua trupi. Fatmira Dede u përcoll në banesën e fundit dje në orën 16:00, nga tri motrat dhe vëllai i saj, që kryesonin kortezhin. Nëna e moshuar 80-vjeçare e Fatmira Dedes nuk ka pushuar vajin për të bijën e vrarë për asnjë moment prej marrjes së lajmit. Në ceremoninë mortore nuk ka qenë e pranishme vajza Matilda, e cila jeton në Itali me xhaxhallarët prej vitesh. Kushërinjtë kanë konfirmuar se vajza e 60-vjeçares ka qenë gjithmonë e larguar nga nëna dhe vëllai i saj, për arsye se pas vdekjes së të atit mjek, Fatmira nuk e ka mbajtur vajzën, por e ka dërguar të rritet tek xhaxhallarët.
/Gazeta Shqiptare/





