Kunati i vëllezërve Fiqeri Çalliku e Fadil Çalliku, Hasan Çukali ka folur sot për mediat ku ka zbuluar se ata janë sulmuar teksa ruanin pronën e tyre në Xhafzotaj.

Çukali tha se vëllezërit Çalliku nuk kishin konflikte me njeri por kishin shkuar të ruanin arat me misër.

“Nuk kishin asnjë lloj konflikte. Vetëm se ruanin pronën e vet, shtëpinë e vet. Kanë hyrë njerëz të marrin miser, kanë dëgjuar zhurmë kanë dalë. Kaq është ngjarja. I biri i gjeti në arë të misrit në gjendje të rëndë.”,- tha Çukali.

Të njëjtën gjë e konfrimuar edhe një e afërme tjetër e familjes Çalliku, Tatjana Skufi.

“Janë njerëz të ndershëm, që punojnë me djersën e ballit. Askujt nuk i kanë rënë në qafë. Vajtën të ruajnë misrin, që kanë gjithë beharin që e punojnë. Djali (i viktimës) shkoi se u vonua babai dhe i gjeti të dy të shtrirë. Si i ka marrë babanë dhe xhaxhanë shpirti i tij e di. Asnjë dyshim nuk kanë, asnjë konflikt. Janë familja më e mirë, më e nderuar, më punëtore.”, tha ajo.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar rreth orës 23:05, në Xhafzotaj, Shijak. Viktima Fiqeri Çalliku, dhe i vëllai Fadil Çalliku, i cili mbeti i plagosur, u sulmuan në tokën e tyre njoftoi më herët policia e Durrësit.

Deri më tani, nga ana e grupit hetimor janë shoqëruar disa persona dhe janë sekuestruar prova materiale në vendngjarje, ndërsa vijon puna për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.