Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në një konferencë për mediat për ngjarjen horror që tronditi mbrëmjen e djeshme Fierin, ku u vra në mënyrë monstruoze një fëmijë 8-vjeçar nga fqinji i tij.

Rama tha se e gjithë shoqëria është tronditur nga ngjarja e djeshme teksa iu shprehu ngushëllimet prindërve dhe familjarëve.

Ai kërkoi që për këtë ngjarje, por edhe të ngjashme që mund të ndodhin në të ardhmen, të jepet dënimi maksimal.

E gjithë shoqëria është tronditur por mbi të gjitha mbetet e pangushëllueshme për prindërit, për të afërmit humbja e vogëlushit Mateo dhe ajo që nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbjeje në mendjen dhe zemrën e nënës, babait, familljes por pritet me padurim nga të gjithë është verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin i cili falë reagimit të menjëhershëm dhe identifikimit dhe kapjen së shpejtë nga policia gjendet sot pas hekurave. Kjo është një nga ato ngjarje që të lënë pa fjalë dhe duke shqyrtuar imtësisht gjatë mbrëmjes së djeshme të gjithë rrjedhën e ngjarjes si dhe profilin e autorit mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur dhe dosmosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë dhe kështu për të vënë pikën e drejtësisë në këtë episod kaq tronditës. Vëllazërisht u shpreh ngushëllimet prindërve, familjes, të afërmve. I vetëdijshëm që në një rast si ky fjalët janë të pafuqishme por fjalët mbeten dhe pjesa tjetër i takon drejtësisë që në këtë rast duhet të jetë dosmdosshmërisht e shpejtë dhe domosdoshmërisht në lartësinë e nevojës së gjithë opinionit publik për një reagim me vendimin më ekstrem të parashikuar nga ligji. E pata të pamundur të shkruaj një tekst mbi këtë ngjarje dhe kjo është arsyeja që mu duk më e udhës ta bëja këtë sot bashkë mne ju në prag të nisjes për vizitën zyrtare në Romë.“, tha Rama.