Gjykata e Stasburgut ka dhënë vendimin për vrasjen e Aleks Nikës më 21 jana 2011, duke dalë në përfundimin se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes!

Këto janë shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës, thuhet në vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata ka gjetur mangësi në ligjin për përdorimin e armëve në operacionet e kontrollit të turmës. Sipas gjykatës, shteti dështoi të kontrollojë ngjarjen dhe përdori forcën vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare që rezultoi në vdekjen e Nikës.

Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë. Familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë, dy vite më parë, Prokuroria e Tiranës rihapi hetimin për vrasjen e Aleks Nikës.