Julian Gjoshi, i riu i cili akuzohet për vrasjen e 50-vjeçarit Alfred Dedja pak ditë më parë në Ndroq do të qëndrojë në qeli pa afat.

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 26-vjeçarit. Gjoshi akuzohet për vrasje me paramendim, ndërsa trupi gjykues vendosi t’i kryhet dhe një akt ekspertim të shëndetit mendor. Kjo për arsyen se ka shfaqur paqëndrueshmëri gjatë dëshmisë në polici dhe në seancën gjyqësore, por edhe për shkak se njihet si përdorues i lëndëve narkotike.

Në dëshminë që dha në polici, 26-vjeçari deklaroi se e vrau pasi e ofendonte herë pas here, por edhe në tavolina tek persona të tretë por deklarimet e tij janë marrë me rezerva.

Hetuesit kanë dyshime se dy shokët janë konfliktuar për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Viktima Alfred Dedja jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë, por rezulton me precedent penalë në fushën e narkotikëve në shtetin fqinj. Ndërsa autori i kthyer së fundmi nga Spanja është arrestuar për armëmbajtje pa leje. Për këtë çështje, emri i tij përmendet në dosjen e SPAK për ish-deputetin socialist Jurgis Cyrbja, të cilit Altin Hajri, i kërkon në Sky ECC të ndërhyjë për ta liruar nga burgu.

Viktimës iu gjet një armë zjarri me vete, të cilën nuk e përdori në ngjarje, ndërsa pistoleta që përdori Julian Gjoshi ende nuk është gjetur nga policia.