Nga Artur Zheji

Urrejtja e maqedonasve sllavë ndaj shqiptarëve, ngulitur thellë nën tru dhe në shpirtrat e tyre të trazuar, është si një lumë përzhitës, herë i nëndheshëm dhe herë jo. Por ky lumë vrastar del në sipërfaqe, mund të rrëmbejë edhe jetën e një fëmijë 4-vjeçar, ashtu sikundër ndodhi në rastin e Almirit.

Kjo vrasje tregon, si një majë ajsbergu, çfarë fshihet përtej hipokrizisë, së marrëdhënieve të “mira” dhe normale, shqiptaro-maqedonase, marrëdhënie kurdoherë të paqëndrueshme, sepse mbështetet mbi marrëveshje të parespektuara dhe të shkelura paturpësisht me të dyja këmbët.

Si edhe është “Marrëveshja e Ohrit”, e hartuar me shumë seriozitet nga ekspertët më të mirë të së Drejtës Ndërkombëtare, për të çmontuar bombën etnike në Maqedoninë e pas luftës së vitit 2001.

Mosrespektimi arrogant i kësaj marrëveshjeje, në pikat e veta më thelbësore nga ana e partive politike maqedonase dhe shitja pjesë-pjesë dhe kompromis pas kompromisi, nga ana e politikanëve shqiptarë në Maqedoni, të kësaj marrëveshjeje me standarde zvicerane, ka sjellë përsëri në sipërfaqe si një bombë me sahat, pritshmërinë e një luftë të re shqiptaro-maqedonase.

Që hap pas hapi, vrasje pas vrasjeje, dhunim pas dhunimi dhe tradhti pas tradhtie të marrëveshjes themelore, vetëm kur të plasë.

Qëllimi që askush nuk mund të fshehë, se një Maqedoni e tillë, e paqëndrueshme dhe fushëbetejë deliresh të paskajshme si ai i Gruevskit dhe delirantëve aventurierë që e pasojnë, është në interes të lobeve destabilizuese të Ballkanit, është një qëllim i mbërritur me sukses.

Sepse sot ky vend, është sot, në të njëjtat parametra jodemokratike dhe diskriminuese, që sollën luftën e vitit 2001. Por luftëtarët e djeshëm sot janë pasuruar, janë bërë të pandjeshëm, duke iu shmangur ndjeshëm misionit për të cilin u zgjodhën nga shqiptarët e rraskapitur dhe të poshtëruar të Maqedonisë.
Që është sot, si edhe në vitin 2001, një shtet vetëm i sllavëve nga njëra anë dhe i skllevërve shqiptarë nga ana tjetër.
Vrasja e një fëmije 4-vjeçar, është një “kapsollë ideale”, që reagimet ndëretnike të kalojnë çdo parashikim, në një tokë mbushur me barut, zhgënjim dhe varfëri ekstreme në njërin krah etnik (shqiptarëve) dhe mbipushtet të vjedhur në krahun tjetër.

Askush nuk mund të parashikojë reagimin klanor të familjes së Almirit, as edhe aventurizmin e disa të tjerëve për të shfrytëzuar këtë tronditje kombëtare.

Një gjë është e vërtetë, në Maqedoninë e sotme, janë të gjitha kushtet, për një reaksion zinxhir dhune e vetëgjyqësie, sepse klasa politike “përfaqësuese” shqiptare, është në dekadencën morale më të rëndë.

Mjafton të kujtojmë skandalet seksuale të kohëve të fundit të zonjës Mehmeti, izolimin pothuajse të plotë që ka dhe humbjen e kontrollit politik, që vit mbas viti, ka bjerrë Ali Ahmeti, ish-heroi legjendar i Luftës Çlirimtare Shqiptare në Maqedoni.

Në këtë situatë dhe mbas një krimi të tillë të shëmtuar, askush nuk ka pse habitet nga asgjë.

Sepse është si të ndezësh zjarr e cigare, mbi një depo të hapur baruti të tejnxehur.