LONDER-Anglezja, informatore e policisë martohet me shqiptarin për të zbuluar aktivitetin e tij kriminel në Glasgow, Britani e Madhe. Kështu u bë e ditur nga avokati mbrojtës në seancën e gjyqit për cështjen e rrëmbimit, torturimit dhe vrasjes në Maj të vitit 2011, së Lynda Spence. Katër persona ndodhen në bankën e të akuzuarve për vrasjen e Spence, citon BBC.
Por të akuzuarit David Parker, Paul Smith, Philip Wade dhe Colin Coats e mohuan vrasjen e 27-vjeçares.
Avokati mbrojtës Derek Ogg tha se Lynda Spence ishte martuar me një kriminel shqiptar, të quajtur, Sokol Zefaj, dhe ishte rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës për të zbuluar më shumë rreth aktivitetit të tij në Britaninë e Madhe. Një dëshmitar tha për policinë se kjo ka qenë dhe arsyeja që futi jetën e saj në rrezik.
Trupi gjykues në Glasgow dëgjoi sot për herë të dytë dëshmi rreth vrasjes së Spence.
Mbrojtja mori në pyetje majoren e hetimit të krimeve Aileen Boyle.
Mbrojtja e pyeti: “ A u bë ndonjëherë e qartë gjatë hetimeve që ju kryenit se Lynda Spence mund të ishte pranë vdekjes. Ajo u rekrutua për të marrë informacion për shqiptarin Sokol Zefaj. E dini ju kush është ai?”
Dhe majorja tha se “ai, Sokol Zefaj është një biznesmen dhe ne kemi informacion se Lynda Spence mund dhe të jetë martuar me të”.
Ndërsa vokati theksoi se Spence u martua me shqiptarin pasi u rekrutua nga agjencia skoceze e policisë kundër drogës dhe krimit dhe se do të informonte për bandën shqiptare të krimit të organizuar, oficerja e policisë tha se Spence do të bënte dhe këtë, nëse do të ishte e nevojshme.
Megjithatë oficerja mohoi që banda të ketë gisht në vrasjen e Spence.
Para vrasjes Spence jetonte me një ukrainase, ish-gruan e Zefaj. Pasi iu pre koka, trupi i Linda Spence nuk u gjet edhe pse nuk reshtën kërkimet në disa ferma dhe fusha, rrotull zonës ku jetonte ajo.