Njolla gjaku në vendngjarje dhe makinë me xhama të thyer. Janë këto çfarë kanë mbetur në vendngjarjen e atentatit të natës së mbrëmshme në Sukth të Durrësit, ku fillimisht mbeti I plagosur e më pas humbi jetën 48-vjeçari Arben Mërkuri (Ismaili).
Të paktën 20 persona janë shoqëruar gjatë këtyre orëve në komisariatin e policisë për të dhënë dëshminë e tyre mbi dijeni që mund të kenë mbi rrethanat e ngjarjes së rëndë që u mbyll me një viktimë.
48-vjeçari u qëllua në biznesin e tij mbrëmjen e së mërkurës dhe duket se atentatorët kishin pritur që ai të ishte vetëm në momentin që do të qëllonin.
Viktima, ka marrë 4 plumba ndërsa në vendngjarje janë gjetur dhjetëra gëzhoja. Ai ka qëndruar për disa minuta i plagosur në dyqan dhe është dërguar më pas nga fqinjët në spital, ku dhe ndërroi jetë.
Pista kryesore e hetimit është ajo e përfshirjes në konflikte të mëparshme dhe larje hesapesh, pasi Mërkuri është një emër i njohur për policinë e qytetit dhe jo vetëm.
I njohur me pseudonimin “Maneci”, ai dyshohet si i përfshirë edhe në dhunën e ushtruar ndaj biznesmenit amerikano-libanez, Faadi Mitri pranë kryqëzimit të Laknasit, pasditen e 10 shtatorit 2016 për shkak të investimit që po kryente në zonën e Gjirit të Lalzit. Por përveç kësaj ngjarjeje, ai dyshohet edhe si vrasës me pagesë, por që asnjëherë nuk u arrit të dokumentohej.
Arben Mërkuri njihet si mik i Landi Muharremit, Rrumit të Shijakut.
Rreth një muaj e gjysëm më parë, ai u përfshi në një konflik me grupin e një emisioni investigativ dhe tentoi që t’i thyente kamerën gazetares dhe operatori. Nga sa mësohet, në Itali është i dyshuar se ka vrarë një prostitute.





