Ruben Saraiva, i dyshuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj, ka dalë sot në Gjykatën e Lezhës. Në sallën e gjyqit, prej muaj janë thirrur për të dëshmuar të afërm të të dyja palëve, ndërsa në seancën e sotme ka dëshmuar nëna e Edmond Haxhisë dhe e afërmja e Nertila Haxhisë.

Të dyja dëshmitaret kanë deklaruar se Edmond Haxhia kishte ardhur në Shqipëri për tu martuar, si dhe për të plotësuar dokumentacionin për udhëtimin drejt Anglisë, ku ndodhej bashkëshortja e tij. Gjithashtu nëna e Edmondit ka pohuar se nuk ka dijeni për vendndodhjen e djalit të saj.

Gjatë dëshmisë ajo është shfaqur e rënduar emocionalisht dhe në disa momente ka kërkuar mbështetje nga avokati Cakrani. Po ashtu prokurori, në përfundim të seancës kërkoi thirrjen e një dëshmitari të ri, ndërsa avokati i mbrojtjes, Cakrani, rikërkoi paraqitjen në gjykatë të ish-bashkëshortes së Edmond Haxhisë. Sakaq, seanca e radhës është caktuar për në 17 nëntor.