Policia e Tiranës ka marrë në mbrojtje familjen e ish-drejtorit të lartë të policisë, Artan Cuku, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz mbrëmjen e së shtunës.
Sipas burimeve nga uniformat blu të kryeqytetit, kjo është një masë paraprake ndërkohë që për specialistët e seksionit të krimeve ndaj jetës, vrasja e 42-vjeçarit mbart disa enigma, të cilat vështirësojnë zbardhjen e saj. 
Burime nga grupi hetimor thonë për Top-Channel se nuk përjashtohet mundësia që një nga armët e përdorura në krim të ketë qenë e ish-policit, megjithatë për këtë po priten përgjigjet e ekspertizave biologjike dhe kimike, për të parë nëse në duart e këtij të fundit ka gjurmë baruti. 
Po ashtu, nga duart dhe thonjtë e 42-vjeçarit janë marrë edhe monstra, të cilat mund të shërbëjnë për analiza ADN-je, pasi ka dyshime që Artan Cuku të jetë përleshur fillimisht me autorët, ose njërin prej tyre. 
Grupi hetimor ka dyshime edhe për një prishje të mundshme të skenës së krimit, pasi drejtimi i qitjes së plumbave dhe dinamika e ndërtuar nuk përthuthet me fiksimin final të pozicionit të viktimës.